Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të enjten se në raportin e shefit të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, për hapat që ka bërë Kosova në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave të BE-së, “do të rekomandohet heqja e masave” ndëshkuese për Kosovën.
Lidhur me këtë, njohësi i politikës, Driton Lajçi, ka deklaruar se Kosova tashmë ka plotësuar të gjitha kushtet që janë të vendosura nga Bashkimi Evropian për heqjen e këtyre masave.
Në emisionin “FIVE”, Lajçi i ka cilësuar të padrejta masat ndaj Kosovës që janë në fuqi edhe sot.
“Tash kemi mënyrë teknike, kushtet të cilat duhet me i plotësu edhe sanksionet të cilat janë vendosë, janë ato katër shtyllat që janë përmendur dhe në bazë asaj çfarë shihet, Kosova i ka plotësuar kushtet, njëri prej kushteve ishte mbajtja e zgjedhjeve në veri, ato janë mbajtur”, ka deklaruar mes të tjerash Lajçi.
Ndërsa, nëse themelimi i Asociacionit mund të jetë pjesë e kushteve për heqjen e masave të BE-së, Lajçi ka potencuar se kjo nuk përmendet, pasi është pjesë e marrëveshjeve Kosovë – Serbi.
“Asociacioni nuk përfshihet si kriter në heqjen e masave, është pjesë e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, është pjesë e kushtit që Kosova të vazhdojë më tutje raportin me BE-në lidhur me raportin Kosovë – Serbi. Asociacioni nuk përmendet, përmendet te Këshillii Evropës, por jo tek heqja e masave”, ka deklaruar Lajçi.

