Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka fituar një betejë ligjore ndaj një tregtari nga Hong Kongu, i cili kishte përdorur emrin e saj për të promovuar dhe shitur produkte pa autorizimin e artistes.
Si rezultat i vendimit, domeni i faqes përmes së cilës zhvillohej aktiviteti tregtar do të transferohet në pronësi të kompanisë së këngëtares.
Sipas gazetës britanike “Daily Mail”, një person i identifikuar si Gary kishte krijuar faqen dualipa-asiastore.com, ku shiste veshje, çanta dhe aksesorë, duke krijuar përshtypjen se biznesi kishte lidhje zyrtare me artisten shqiptare.
Dua Lipa e kishte dërguar çështjen pranë Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), e cila, pas shqyrtimit të ankesës, vendosi në favor të saj.
Në vendim u konstatua se domeni ishte regjistruar dhe përdorur në keqbesim, prandaj u urdhërua transferimi i tij te kompania e këngëtares.
Kjo fitore ligjore vjen në një kohë kur emri i Dua Lipës përfaqëson një markë me vlerë të konsiderueshme, përtej suksesit të saj në industrinë muzikore.
Dokumentet e kompanive të artistes tregojnë se ajo ka gjeneruar rreth 23.4 milionë paund nga muzika, të drejtat autoriale, koncertet dhe aktivitetet e tjera tregtare.
Ndërkaq, kompania e saj Radical22 vlerësohet në rreth 73 milionë paund.

