- Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka habitur audiencën me një deklaratë të tijën nga Roskoveci, ku për mbrojtjen e territorit nga ndërtimi i një TEC-i në Roskovec, u ka bërë thirrje banorëve të rrokin armët.
Madje, ka thënë qartësisht se për këtë çështje, edhe ai vetë është aty “me kallash në dorë”.
“Edhe armët duhen marrë. Mua këtu më keni me kallash në dorë. Nuk më dridhet dora fare. Mobilizoni edhe njerëzit që keni jashtë. Vetëm huri i ndan punët me këta”, theksoi Meta gjatë fjalës së tij me banorët e Roskovecit.
Sipas tij, banorët e Roskovecit po kërcënohen “për t’u helmuar nga një investim kriminal i Edi Ramës, duke e menduar Roskovecin si një komunitet që thyhet lehtë”.
Një grusht të korruptuarish, në fjalët e Metës, kanë marr vendime kriminale në kundërshtim me interesin e banorëve aty, pasi duan që t’i përzënë këta të fundit, dhe t’i zhvlerësojnë edhe atë pak investim që kanë bërë.
“Duan që edhe këta fëmijë ti përzënë nga vendi dhe më pas bënë marrëveshje ai me ata që nga Filipinet dhe nga Bangladeshi. Sepse qëllimi është vendosja e vendit në një regjim mafioz, në një regjim PPP kriminal, nuk është zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë, sepse ju e dini se dhe fondet për bujqësinë i bllokoi BE sepse këta i çuan fondet e IPARD tek inceneratorët” u tha Meta një grup personave që ishin pranë tij.