Telenews

Disa qindra serbë protestuan në Mitrovicën e Veriut: “Po mbrohemi nga zhdukja”

Disa qindra serbë u mblodhën në një protestë në Mitrovicën e Veriut, nga ku thanë se “dikur kanë mbrojtur qëndrimin, ndërsa tani po mbrojnë zhdukjen” në urën kryesore të Ibrit.

Para disa qindra serbëve, tubimi në sheshin “Vëllezërit Milliq” filloi me intonimin e himnit të Serbisë.

Protesta është organizuar për shkak të paralajmërimit të hapjes së urës qendrore mbi Ibër në këtë qytet, por edhe situatës së përgjithshme të shkaktuar nga mbyllja e degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës, arrestimet e serbëve, heqjes së dinarit të Serbisë në Kosovë…

Të tubuarit kishin pankarta ku shkruhej “Ndërsa SHBA dhe BE shkruajnë deklarata, ne na dëbojnë”, “Nëse Kurti hap urën, KFOR-i dhe QUINT-i do të jenë përgjegjës për gjithçka”, “Në urë mbrojtëm qëndrimin, tani mbrojmë zhdukjen”…

Tubimin e kanë siguruar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, transmeton Paparaci.

Edhe pjesëtarët e EULEX-it ishin prezentë në afërsi të urës mbi Ibër.

“Ka pasur mbi një mijë tentativa për hyrje të dhunshme (mbi urë) nga viti 1999. Ka pasur 126 përplasje të rënda dhe viktima njerëzore dhe të plagosur. Forcat ndërkombëtare të Policisë së UNMIK-ut, KFOR-it dhe EULEX-it kanë reaguar 126 herë për të parandaluar konfliktet dhe “për të mbrojtur veriun e Kosovës”. Vendimi për hapjen e urës u iniciua nga uzurpatorët në Mëhallën e Boshnjakëve, të cilët me 300 vota të njerëzve nga rruga e tyre që votuan për ta, morën vendimin për hapjen e urës”, ka pretenduar ish-gjykatësi i regjimit serb, Nikolla Kabashiq.

“Ka një kohë kur ne jemi të pafuqishëm për të parandaluar padrejtësinë, por nuk duhet të ketë kurrë një kohë kur ne nuk rebelohemi kundër kësaj padrejtësie”, citoi laureatin e Çmimit të Nobelit dhe ish të burgosurin Elie Wiesenthal, gazetarja dhe kryeredaktorja e gazetës serbe “Jednistvo”, Rada Komazec.

“Unë kërkoj nga autoritetet në Prishtinë që të rishqyrtojnë vendimet e tyre. Ne e dimë se ata iu kanë urdhëruar këshilltarëve ilegalë në komunën e Mitrovicës së Veriut që të marrin një vendim të tillë (për hapjen e urës). Po ashtu kërkoj nga bashkësia ndërkombëtare që ta ndalë planin djallëzor të Prishtinës, sepse vetëm ata do t’i dëgjojnë. Hapja e urës është hapja e kaosit dhe spastrimit etnik të popullatës serbe”, ka shtuar ajo.

“Në mesin e pensionistëve dhe qytetarëve të Mitrovicës ka frikë dhe pafuqi. E mbyllën postën, e mbyllën Kursimoren e Postës, e hoqën dinarin. Ashtu që ne jemi të mbyllur këtu, sepse duhet të shkojmë në Rashkë, në Pazar për t’i marrë pensionet. Askush nuk na pyet se sa janë shpenzimet”, ka thënë pensionistja Dushanka Vllahoviq.

Ajo gjithashtu kërkoi nga KFOR-i dhe komuniteti ndërkombëtar që të ndihmojnë “për ta rregulluar këtë situatë”.

“Hapja e urës vetëm do të dyfishonte frikën dhe trazirat. Nëse KFOR-i dhe bashkësia ndërkombëtare lejojnë hapjen e urës, do të thotë se po e miratojnë edhe dëbimin e serbëve”, ka thënë ajo.

Siç raporton Radio Kim nga vendi i ngjarjes, situata në pjesën jugore të qytetit është e qetë.

Të ngajshme

U zhduk pa gjurmë nga shtëpia në Prishtinë, 54-vjeçari gjendet pas tri ditësh – vëllai e gjen te Xhamia e Llapit –

KushtrimGuraj

Zgjedhjet në Serbi: Çfarë ndodh nëse fiton apo humb Aleksandar Vuçiq? –

KushtrimGuraj

Kurti thirrje shqiptarëve të Luginës: Dilni e votoni, mbështeteni “Koalicionin Shqiptar” –

KushtrimGuraj