Telenews

Ramadani: Sa më shumë KFOR dhe EULEX, aq më pak sovranitet

Ish-inspektori i Përgjithshëm i AKI-së, Burim Ramadani, së fundmi ka reaguar rreth prezencës së KFOR-it dhe EULEX-it në Kosovë.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Ramadani ka bërë të ditur se sa më shumë që ka prezencë të KFOR-it dhe EULEX-it në vendin tonë, aq më pak ka sovranitet.

Sipas Ramadanit, çdo herë kur institucionet e Kosovës janë konsoliduar e fuqizuar, trupat e KFOR-it janë reduktuar, ndërsa, EULEX-i edhe kishte ristrukturar veten duke mbetur në një numër simbolik të Mentorimit, Monitorimit dhe Këshillimit (MMA), por që sipas tij, tani po ndodh e kundërta.

“Sa herë që gëzohemi që NATO ka sjellë më trupa në Kosovë (si nevojë për të zmbrapsur kërcënimet e Serbisë apo grupeve paramilitare), duhet po ashtu t’ia kujtojmë vetes se kjo nënkupton më shumë kapacitet vendimmarrës dhe zbatues për KFOR. Kështu, vendimmarrja dhe zbatimi nga ana KFOR mbetet jashtë institucioneve tona publike, pra si mandat që rrjedh nga Rezoluta 1244 e KS OKB. Prandaj, është më pak sovranitet për shtetin e Kosovës dhe jo vetëm në veri, por në tërë territorin e Kosovës. Sepse, mandati i KFOR nuk është i ndarë në rajone të caktuara në Kosovë, por përfshin njëjtë tërë territorin. Rrjedhimisht, rritja dhe rifuqizimi i KFOR është zvogëlim i sovranitetit të Kosovës në total. E mos të flasim për EULEX-in që është dashur të mos rifuqizohet kurrë. Madje, EULEX është dashur që të mbetet me vetëm 2-3 punonjës në total”, ka shkruar ndër të tjerash Ramadani.

Reagimi i plotë i Ramadanit, pa ndërhyrje:

Sa më shumë KFOR dhe EULEX, aq më pak sovranitet.

“Pensionimi” i KFOR do të ishte e arritur e Kosovës, jo rritja e numrit dhe rikthimi i zbatimit të fuqisë së tyre në terren.

Rritja, fuqizimi, demokratizimi dhe konsolidimi i institucioneve publike dhe të sigurisë së Kosovës do të duhej të rezultonte me zvogëlimin e trupave të KFOR dhe me reduktim vetanak të ushtrimit të kompetencave që ka KFOR në bazë të Rezolutës 1244 të KS OKB.

Këto kompetenca janë njohur mbi institucionet e shtetit të Kosovës edhe me Kushtetutën tonë, Nenin 153.

Kjo ka qenë proces i vazhdueshëm. Pra, institucionet e Kosovës janë konsoliduar e fuqizuar, ndërsa trupat e KFOR janë reduktuar. Ndërsa, EULEX-i edhe kishte ristrukturar veten duke mbetur në një numër simbolik të Mentorimit, Monitorimit dhe Këshillimit (MMA).

 

Të ngajshme

KFOR: Pas sulmit në kanalin Ibër-Lepenc kemi rritur numrin e ushtarakëve në 4300

KushtrimGuraj

Florin Krasniqi e quan “palaço” dhe “pa njerëzillak” Kurtin

Donat Hashani

G Bani iu kërkon falje familjarëve të Gjestit

Erzana Fazliu