Elise Stefanik është zgjedhur për të shërbyer si ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara në administratën e ardhshme amerikane, sipas një deklarate të presidentit të zgjedhur Donald Trump për agjencinë e lajmeve “Reuters”, të hënën.
Ky post ka nevojë për miratim nga Senati.
“Jam i nderuar të emëroj Elise Stefanikun për të shërbyer në kabinetin tim si ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara. Elise është një mbrojtëse e fortë dhe e mençur e politikave që e vendosin Amerikën të parën”, tha Trump.
40-vjeçarja Stefanik, ligjvënëse nga New Yorku dhe kryetare e grupit republikan në Dhomën e Përfaqësuesve, ka qenë një aleate e fortë e Trumpit.
Organizata e Kombeve të Bashkuara po përgatitet për një rikthim të Trumpit në pushtet dhe përballjen e mundshme me shkurtime të financimit dhe angazhimit amerikan në raport me organizatën, gjatë mandatit të dytë të presidentit republikan.
Një reduktim i angazhimit të Shteteve të Bashkuara në OKB mund të hapë derën Kinës, e cila ka forcuar ndikimin e saj në diplomacinë globale.
Presidenti i zgjedhur Trump ka ofruar pak detaje në lidhje me politikën e jashtme për mandatin e tij të dytë. Megjithatë, mbështetësit e tij thonë se forca e personalitetit të tij dhe qasja e tij ‘paqe përmes forcës’ do të ndihmojë që udhëheqësit e huaj të përkulen ndaj vullnetit të tij. Ai është zotuar t’i japë fund luftës në Ukrainë dhe pritet t’i japë mbështetje të fortë Izraelit në konfliktet e tij me grupet militante, Hamasin në Gazë dhe Hezbollahun në Libanin jugor.
Ndër shqetësimet kryesore në OKB janë nëse Shtetet e Bashkuara do të vendosin të kontribuojnë më pak para për organizatën botërore me 193 anëtarë dhe të tërhiqen nga institucionet dhe marrëveshjet kryesore shumëkombëshe, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe marrëveshjen e Parisit për mjedisin.
Stefanik mori pozitë udhëheqëse brenda grupit republikan në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2021, kur ajo u zgjodh për të zëvendësuar ligjvënënesen Liz Cheney. Cheney humbi mbështetjen pas kritikave të saj lidhur me pohimet e pa mbështetura në fakte të zotit Trump për manipulime në zgjedhjet e vitit 2020.
Ajo tërhoqi vëmendjen e opinionit publik në nivel kombëtar kur e mbrojti zotin Trump gjatë ngritjes së akuzave në Kongres për shkarkimin e ish Presidentit republikan në vitin 2019. Mbrojtja që ajo i bëri atij nxiti ish Presidentin Trump ta krahasojë Stefanikun me “një yll që sapo kishte lindur”, në politikë.
Ligjvënësja Stefanik ishte gruaja më e re e zgjedhur ndonjëherë në Dhomën e Përfaqësuesve. Ajo fitoi në një qark që kishte votuar dy herë për presidentin demokrat Barack Obama dhe ishte përfaqësuar nga demokratët në Kongres që nga viti 1993.
Ajo shihej si një kandidate e mundshme për postin e nënpresidentes para se zoti Trump të zgjidhte senatorin JD Vance.
Ndërkohë Presidenti i zgjedhur Trump tha gjatë fundjavës se nuk do t’i kërkonte ish-kandidates republikane për presidente, Nikki Haley, që t’i bashkohej kabinetit të tij të ri.
Haley shërbeu si ambasadore amerikane në Kombet e Bashkuara gjatë mandatit të parë të zotit Trump. Ajo i ofroi mbështetje zotit Trump për president pavarësisht se e kishte kritikuar ashpër kur ajo konkurroi kundër tij në zgjedhjet paraprake të partisë.
Trump po vazhdon takimet me kandidatët e mundshëm për të shërbyer në administratën e tij përpara inaugurimit të tij si president më 20 janar.
Trump po ashtu ka njoftuar se ka emëruar Tom Homanin, në administratën e tij si drejtues në nivel kombëtar për çështjet e emigracionit. E Lee Zeldin është emëruar në Agjencinë për Mbrojtjen e Ambientit.