Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas deklaratës së Prokurorisë lidhur me aksionin e sotëm në dhjetë komuna të Kosovës, ku thanë se ishte bërë pa autorizimin e tyre. Këtë deklaratë të Prokurorisë, Haxhiu e ka quajtur “skandaloze”.
Sipas Ministres, Prokuroria në vend se t’i mbyllte shumë vite më parë zyrat e këtyre strukturave ilegale, “lëshojnë komunikata kundër veprimeve të ligjshme të policisë”, ndërsa ka pyetur se “në shërbim të kujt shërbejnë prokurorët e shtetit”.
“Çfarë deklarimi skandaloz i Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Në vend që të vepronin shumë vite më parë, dhe t’i mbyllnin zyrat e strukturave ilegale ata nga zyrat e tyre lëshojnë komunikata kundër veprimeve të ligjshme dhe të drejta të policisë. A ka kush që i kupton këta zyrtarë të shtetit që mbajnë emrin prokurorë? Në shërbim të kujt janë?”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Në komunikatën e lëshuar nga Prokuroria thuhet se organi i ndjekës nuk ka autorizuar kryerjen e bastisjeve në këto lokacione meqë nuk kanë pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim nga institucionet dhe se nuk u është ofruar kurrfarë prove për t’u krijuar dyshimi i bazuar se është duke u kryer ndonjë vepër penale.
“Prokurori i shtetit duke pasur parasysh faktin që me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi. Prokurori i shtetit është i gatshëm dhe i përkushtuar në ndjekjen e veprave penale dhe kryerësve të tyre, gjithmonë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, si dhe duke u bazuar në parimin e barazisë dhe mos diskriminimit të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.
Në anën tjetër, në komunikatën e lëshuar nga Policia e Kosovës thuhet se të gjitha veprimet janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente.
“Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ku varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.