Prizren, 17 Janar 2025 – Ekipi i shkollës International Maarif Schools of Kosova, dega në Prizren, është shpallur Kampion i Republikës së Kosovës në garat e pingpongut për shkollat e mesme të ulëta, të organizuara nga Federata e Pingpongut dhe Sportet Shkollore të Kosovës.

Përfaqësuesit e IMSK-Prizren, Ari Krasniqi, Muhamed Alemdar dhe Resul Smaili, nën drejtimin e trajnerit të tyre Behajdin Gjinali, shfaqën aftësi të shkëlqyera dhe një nivel të lartë përgatitjeje gjatë të gjitha fazave të garës.

Pas triumfit në Garat Komunale të Prizrenit, ekipi siguroi fitore në Garat Rajonale dhe më pas kurorëzoi suksesin e tyre me një performancë mbresëlënëse në Finalen Kombëtare të mbajtur në Ferizaj.

Garat, të cilat përfshinë konkurrencën më të mirë nga shkollat e mbarë Kosovës, ishin një sfidë e vërtetë për të gjitha ekipet pjesëmarrëse. Nxënësit e IMSK-Prizren treguan jo vetëm talent të jashtëzakonshëm individual, por edhe një frymë ekipore që kontribuoi në triumfin e tyre.
Trajneri Behajdin Gjinali vlerësoi përkushtimin dhe disiplinën e nxënësve të tij, duke theksuar se ky sukses është fryt i punës së vazhdueshme dhe mbështetjes së komunitetit shkollor.

Ky sukses shërben si frymëzim jo vetëm për nxënësit e tjerë të IMSK, por edhe për të gjitha shkollat në Kosovë, duke treguar se pasioni, përkushtimi dhe puna ekipore mund të çojnë drejt majave të suksesit.
Urime kampionëve dhe të gjithë atyre që kontribuuan në këtë arritje madhështore!/Telenews/

