Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka thënë se s’kanë informata zyrtare se çka është diskutuar në takimin e mbrëmshëm mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, raporton Ekonomia Online.
Ai, duke hyrë në objektin e Kuvendit, tha se këto do t’i mësojnë në mbledhjen e grupit parlamentar që do ta zhvillojnë para nisjes së seancës së sotme plenare.
“Ende s’e kemi kuptuar për krejt takimin dhe s’kemi informata zyrtare. Sot e kemi mbledhjen e grupit parlamentar dhe e marrim vesh më saktësisht se çka është diskutuar. Mendoj se theksi kryesor ka qenë që të kemi një dakordim për një qëndrim të përbashkët të Kuvendit për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së”.
I pyetur se a është diskutuar për çështjen e presidentit, ai tha se kjo çështje nuk duhet të ndërlidhet me nevojën që Kuvendi ta miratojë Projektligjin për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.

