Komuna ka shpallur gjendje emergjente që dy javë, ndërsa drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Bekim Brestovci, ka deklaruar se për këtë situatë fajin e ka ndërmarrja “Pastrimi”.
Brestovci në intervistën e dhënë për Telegrafin, tha se vazhdimisht po pranojnë ankesa nga qytetarët për mbeturina.
“Fatkeqësisht po vazhdon situata të jetë e rënduar, ne po marrim vazhdimisht ankesa prej qytetarëve në formën e shkruar, natyrisht të ilustruara edhe me fotografi, ne kemi një grup punues që tanimë veç është në terren, ku edhe po bën skanimin e gjendjes dhe natyrisht çdo ditë po raporton për gjendjen. Kemi një gjendje jo të përmirësuar, një gjendje që po vazhdon të mbetet e keqe në tërësi, dhe nuk ka ndryshuar diçka prej ditës kur ne e kemi shpallë gjendje emergjente. Natyrisht hapat të cilët ne jemi munduar t’i marrim pas shpalljes emergjente kanë qenë ta ngrisim përgjegjësinë e ndërmarrjes “Pastrimi” ndaj gjendjes ekzistente, të iu dërgojmë atyre sinjalet e duhura që t’iu përfshihen punës sepse tanimë nga 1 janari janë e vetmja ndërmarrje që kanë kompetenca edhe është e kontraktuar në një farë forme për mbeturina”, theksoi ai.
Drejtori Brestovci, gjithashtu akuzoi ndërmarrjen “Pastrimi”, se nuk ka filluar me shpërndarjen e kontejnerëve dhe se po ashtu nuk ka vënë në operim kamionët e rinj.
‘Unë kam bërë edhe thirrje publike, edhe në emisionet televizive, ku kam qenë bashkë me kryeshefin e ndërmarrjes “Pastrimi” që ata të fillojnë me shpërndarjen e kontejnerëve, të cilët ne me paratë e qytetarëve i kemi blerë, dhe janë të destinuar për ta lehtësuar jetën e qytetarët dhe për të pasur ata mundësinë se ku t’i hedhin mbeturinat, gjë kjo e cila fatkeqësisht nuk po ndodh”.
Ai deklaroi tutje se nuk qëndrojnë prononcimet e kryeshefit të ndërmarrjes “Pastrimi” se komuna po bllokon këtë proces.
Po ashtu ai pohoi se kamionët e rinj që kanë blerë janë dëmtuar nga kjo kompani, dhe se nuk janë ende në operim.
Në intervistë, drejtori i Shërbimeve Publike tha se zgjidhja e vetëm mbetet kontraktimi i operatorëve privatë.
“Ne ndërmarrjes ‘Pastrimi’ i kemi dhënë garanci si unë, si kryetari i kryeqytetit, edhe Sindikatës së Punëtorëve, edhe kryeshefit dhe të gjithë punëtorëve me të cilët kemi pas mundësi të komunikojmë që dhënia e disa lotëve ndërmarrje private për ofrimin e shërbimeve të grumbullimeve të mbeturinave nuk nënkupton mbetjen pa punë të punëtorëve të ndërmarrjes ‘Pastrimi’. Sepse ne të gjithë këta punëtorë do i pajisim pastaj me kontrata shtesë për pastrim, mirëmbajtje të hapësirave publike të cilat kanë nevojë për trajtim. Për këtë edhe kanë qenë të dedikuar pastaj këta dy kamionë, të cilët ne për momentin akoma nuk ia kemi kalu ndërmarrjes së ‘Pastrimit’, sepse janë të dedikuar për kontrata të veçanta të cilat mendojmë edhe ashtu ashtu t’i realizojmë”, theksoi mes tjerash ai.