Në raportin e publikuar për Kosovën, Komisioni Evropian ka vlerësuar se mbrojtja ligjore e të drejtave të personave LGBTIQ+ vazhdon të jetë e pamjaftueshme dhe se ky komunitet vazhdon të përballet me diskriminim.
Në këtë raport theksohet se Strategjia dhe Plani i Veprimit për të drejtat e personave LGBTIQ+, të cilat është dashur të miratohen që nga viti 2024, ende nuk janë miratuar. Po ashtu, sipas Komisionit Evropian, nuk janë zhvilluar aktivitete zyrtare për vetëdijesimin e publikut lidhur me këto të drejta.
Komisioni Evropian ka vënë në pah edhe mungesën e njohjes dhe mbrojtjes ligjore për çiftet e të njëjtit seks, duke theksuar se miratimi i Kodit Civil, nga i cili pritej të trajtohej kjo çështje, nuk ka shënuar përparim.
“Mbrojtja ligjore e të drejtave të personave LGBTIQ+ mbetet e pamjaftueshme dhe këta persona vazhdojnë të përballen me diskriminim. Strategjia dhe Plani i Veprimit për të drejtat e personave LGBTIQ+ vazhdojnë të mos miratohen që nga viti 2024, ndërsa nuk janë zhvilluar aktivitete zyrtare për vetëdijesimin e publikut.”, thuhet në raport.
Raporti evidenton se personat LGBTIQ+ vazhdojnë të përballen me diskriminim në hapësirat publike, në vendet e punës dhe në diskursin publik, përfshirë edhe gjatë fushatës zgjedhore.
Po ashtu, theksohet se dhuna në internet vazhdon të jetë e pranishme, ndërsa normat patriarkale dhe tradicionale kontribuojnë në diskriminimin dhe refuzimin e këtyre personave brenda familjeve.
Sa i përket raportimit të rasteve të dhunës, Komisioni Evropian thotë se numri i incidenteve të raportuara ka mbetur i qëndrueshëm. Ndërkohë, Java e Krenarisë dhe Parada e Krenarisë, të mbajtura në qershor të vitit 2026, janë zhvilluar pa incidente.
Mes tjerash, ky raport vë në pah edhe mungesën e theksuar të shërbimeve publike për personat LGBTIQ+.

