Telenews

Pas ujdisë për armëpushim reagimet ruse të rezervuara

30 ditë armëpushim në Ukrainë e sërish ndihma ushtarake amerikane: Reagimet pas ujdisë në Arabinë Saudite janë në unison, se tani duhet të veprojë Rusia. Por reagimet e para ruse duken të rezervuara.

Krerë shtetesh dhe qeverish ndërkombëtare kanë reaguar pas ujdisë për armëpushim 30 ditor arritur në takimin mes SHBA-së dhe Ukrainës në Xhidah të Arabisë Saudite. Vihet re lehtësimi, por deklaratat janë të përmbajtura. Pasi Kiyvi ra dakord me propozimin e Uashingtonit për armëpushim, SHBA deklaroi se do të rifillonte gjithashtu ndihmën e pezulluar ushtarake për Ukrainën.

“Ne mirëpresim rezultatet e bisedimeve”, tha presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.  Ajo e pa si një zhvillim pozitiv që administrata Trump dëshiron t’i ofrojë përsëri mbështetje ushtarake Ukrainës dhe të sigurojë informacionet e inteligjencës. Von der Leyen vlerësoi gjithashtu armëpushimin e planifikuar. Topi tani është në anën e Rusisë, sipas saj. Edhe presidenti i Këshillit të BE-së, Antónia Costa, vlerësoi përpjekjet për armëpushim, duke theksuar se tani duhet të reagojë Rusia.

“Tani i takon Rusisë që t’i japë fund luftës së saj të agresionit”

Ministrja e Jashtme gjermane,  Annalena Baerbock shkroi në X për një pikë kthese të mundshme. “Tani i takon Rusisë që t’i japë fund luftës së saj të agresionit”, shkroi Baerbock. Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, postoi në X pas ujdisë për armëpushim nga Ukraina, se “duket sikur amerikanët dhe ukrainasit kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt paqes”. Evropa është e gatshme kur bëhet fjalë për arritjen e një “paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”. Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron përshëndeti përparimin në bisedime. “Topi është tani qartë në fushën e Rusisë,” shkroi Macron gjithashtu në X. Franca dhe partnerët e saj mbeten të përkushtuar ndaj një paqeje solide dhe të qëndrueshme të mbështetur nga garanci të forta sigurie për Ukrainën.

Por Rusia duket se po e lë fillimisht të hapur përgjigjen e saj pas propozimit për një armëpushim të përkohshëm. Qeveria do të marrë vendimet e veta për konfliktin në Ukrainë, shpjegon zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Sakharova, pa dhënë detaje të tjera. “Përcaktimi i pozicionit të Federatës Ruse nuk zhvillohet jashtë vendit për shkak të disa ujdive ose përpjekjet e disa palëve. Përcaktimi i qëndrimit i Federatës Ruse zhvillohet brenda Federatës Ruse”, theksoi Zakharova. Nënkryetari i Këshillit të Federatës Ruse, Konstantin Kosachev, shkroi në Telegram: “Kushtet janë amerikane, jo ukrainase. Ukrainasit pajtohen me atë që u thuhet. Dhe në të njëjtën kohë ata përulen dhe bëjnë lajka”. Nuk do të funksionojë kështu me Rusinë, sepse Rusia është në marshim e sipër. “Të gjitha marrëveshjet duhet të jenë sipas kushteve tona, jo sipas kushteve amerikane”. /DW

Të ngajshme

Apeli anulon aktgjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte, rasti kthehet në rigjykim

KushtrimGuraj

Shpëtohet mrekullisht fëmija pas rënies në ujë në një restorant në Mitrovicë, dërgohet në QKUK

KushtrimGuraj

FIFA i kundërpërgjigjet UEFA-s: Askush nuk po e nxjerr futbollin në shitje

KushtrimGuraj