Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nga legjislatura e kaluar, Avdullah Hoti, përmes një shkrimi që e publikoi të martën, shprehu pakënaqësitë e tij me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit që mori kjo parti, por përveç kësaj, ai tregoi se ka pakënaqësi edhe me udhëheqjen e kësaj partie.
Përveç rezultatit të dobët në zgjedhje, ish-kryeministri paraqiti shqetësim edhe për votat e diasporës, të cilat, sipas tij, dëshmuan se Lëvizja Vetëvendosje është votuar në mënyrë joproporcionale krahasuar me votimin në Kosovë, por ngjashëm ka ndodhur edhe me disa deputetë të listës së LDK-së.
Njohësit e çështjeve politike e kanë vlerësuar reagimin e Hotit si shpërfaqje publike të mospajtimit të tij me mënyrën e udhëheqjes së partisë nga kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.
Analisti politik Belgzim Kamberi, në një përgjigje për Albanian Post, thotë se Hoti, në mënyrë publike, tregoi se kundërshton ndryshimin dhe reformën e LDK-së që po e bën kryetari Abdixhiku.
“Duke kërkuar lidership të ri partiak, z. Avdullah Hoti po e kundërshton realisht ‘ndryshimin dhe reformën’ që po e bën z. Lumir Abdixhiku në LDK. Në kontekstin përkatës, çështja e vlerësimit të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit është më shumë në funksion të (de)legjitimimit të drejtimit që ka marrë LDK me Lumir Abdixhikun si kryetar”, thotë Kamberi për Albanian Post.
Sipas Kamberit, kjo tregon se brenda LDK-së janë krijuar dy grupe me qëndrime të kundërta.
“Ata që pajtohen me drejtimin që ka marrë LDK nën udhëheqjen e Abdixhikut si kryetar do të jenë të prirur ta paraqesin rezultatin zgjedhor të LDK-së si sukses, ndërsa ata që nuk pajtohen me drejtimin që ka marrë LDK nën udhëheqjen e Abdixhikut si kryetar do të jenë të prirur ta paraqesin rezultatin zgjedhor të LDK-së si dështim”.
Edhe analisti politik, Afrim Kasolli, thotë për Albanian Post se pritshmëritë e LDK-së për zgjedhjet e 9 shkurtit kanë qenë të tjera, prandaj vlerëson se kritika e Hotit ka të bëjë më shumë me qasjen e Abdixhikut.
“Kështu, nuk mund të thuhet se nën drejtimin e Lumir Abdixhikut, LDK-ja nuk ka shënuar rritje. Mirëpo, kritika ndaj tij ka të bëjë me faktin se ai, me qasjen e tij, i ka minuar mundësitë e kësaj partie për ta siguruar një rezultat tjetër”.

“Dhe duket se pakënaqësitë e ish-kryeministrit Hoti ndaj lidershipit aktual të LDK-së kanë të bëjnë me qasjen që ky i fundit ka ndjekur në këto zgjedhje për ta forcuar pozicionin e tij të brendshëm politik, por që ka prodhuar efekte jo të duhura për partinë. Atëherë është normale që t’i kërkohet llogaridhënie dhe përgjegjësi politike”, ka deklaruar Kasolli për AP.
Nga këndvështrimi i Kasollit, të gjithë kryetarët e partive që nuk morën rezultatin e kërkuar në zgjedhjet e 9 shkurtit duhet të japin dorëheqje.
“Në rrethana normale, Lumir Abdixhiku, por jo vetëm ai, të gjithë liderët politikë që i kanë humbur zgjedhjet e 9 shkurtit si shenjë përgjegjësie politike, duhej ta ofronin dorëheqjen. Sepse në këto zgjedhje, opozita ka humbur politikisht më shumë se në vitin 2021, edhe pse ka një rritje elektorale. Ky dështim politik vjen pas katër vjetësh qeverisjeje nga Lëvizja Vetëvendosje”.
Ai thotë se para katër vjetësh, rrethanat ishin specifike dhe ato e mundësuan fitoren e LVV-së.
“Partia aktuale në pushtet përfitoi prej tyre dhe faktit se nuk ishte e sprovuar shumë në qeverisje. Ndërkohë, sot, fitorja e saj politike, përkundër dështimeve të shumta qeverisëse, është pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit të opozitës për ta sfiduar atë gjatë këtij mandati”.
Hoti të martën teksa ka falënderuar qytetarët që kanë votuar për këtë parti, ka thënë se LDK-ja ka nevojë për një udhëheqje të re.
Ai deklaroi se rezultati në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit ka qenë i dobët, pasi sipas tij “kjo është bërë në mënyrë selektive, jostatutore dhe pa konsideratën e duhur ndaj disa specifikave të brendshme të LDK-së”.
“Personalizimi i fushatës zgjedhore, përbërja e listës, renditja e kandidatëve në listë, paraqitja dhe favorizimi medial i një liste të ngushtë të kandidatëve të LDK-së, si dhe çështje të tjera para dhe gjatë fushatës, kanë dëmtuar kohezionin e brendshëm partiak, me gjithë përpjekjet e të gjithë neve për t’i tejkaluar ato pakënaqësi. Votimi disproporcional në diasporë e ka rënduar dhe cenuar më tutje atmosferën kolegiale dhe bashkëpunuese brenda LDK-së”.
Ish-kryeministri ka shtuar se për të kthyer besimin e anëtarësisë dhe elektoratit të gjerë, LDK-ja ka nevojë për një udhëheqje të re.
“Orientimi i lidershipit aktual për të bërë prerje të panatyrshme, si dhe distancimi nga e kaluara e lavdishme shtetformuese e LDK-së, pavarësisht sfidave e lëshimeve gjatë rrugëtimit të lidershipeve të kaluar, kanë zvetënuar besimin e elektoratit tradicional të LDK-së. Në vend të ndërtimit mbi ato arritje të LDK-së, lidershipi aktual ka krijuar distancë ndaj njerëzve dhe arritjeve të Kosovës gjatë qeverive të udhëhequra nga LDK-ja”.
Pas këtij shkrimi të Hotit ka reaguar nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili ka thënë se LDK-ja “nuk i takon funksionarëve”, por “anëtarësisë”.
“Në një ditë si kjo, duhet ritheksuar se LDK-ja nuk i takon funksionarëve, por anëtarësisë së saj. Anëtarësia e saj ka vendosur me 19 nëntor 2023 për një mandat të ri të lidershipit”, ka shkruar Haziri në rrjetin social ‘Facebook’.
Ai e ka mbrojtur kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, duke thënë se i njëjti ka ardhur në krye të partisë nga një Kuvend i jashtëzakonshëm, si pasojë e rezultatit më të rëndë historik.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 20 deputetë.
Lumir Abdixhiku është në krye të listës, i ndjekur nga Doarsa Kica Xhelili, Kujtim Shala, Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti.
Pas tyre vijnë Anton Quni, Lutfi Haziri, Jehona Lushaku Sadriu, Gazmend Muhaxheri, Armend Zemaj, Hysen Cekaj, Imri Ahmeti, Fadil Hadergjonaj, Besian Mustafa, Marigona Geci, Ekrem Hyseni, Krenar Xhaferi, Alban Zogaj, Serbeze Mucaj dhe Arjeta Abazi.