Telenews

Serbia do sqarime nga Shqipëria e Kroacia për bashkëpunimin ushtarak me Kosovën

Kosova, Shqipëria e Kroacia kanë nënshkruar ditën e sotme Deklaratën e Bashkëpunimit Trepalësh Ushtarak.

Kjo u bë e ditur nga ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu i cili priti homologët e tij nga Kosova e Kroacia.

Vengu tha se kjo deklaratë synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tre vendeve.

“Bashkë me homologët nga Kosova dhe Kroacia nënshkruajmë Deklaratën e Bashkëpunimit Tripalësh Ushtarak, e cila synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tre vendeve, të rrisë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe të përmirësojë ndërveprimin ushtarak përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta”, ka shkruar ai.

E me këtë bashkëpunim nuk po del të jetë i kënaqur një shtet fqinj.

Serbia ka thënë se do të kërkojë sqarime të detajuara nga Republika e Shqipërisë dhe nga ajo e Kroacisë për këtë iniciativë.

Siç thuhet në deklaratën e MPJ-së së Serbisë, do t’u dërgohet një kërkesë urgjente ministrive të punëve të jashtme të Shqipërisë dhe Kroacisë “për një shpjegim të detajuar në lidhje me nënshkrimin e memorandumit trepalësh për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, me të cilin këto dy vende”, së bashku me Kosovën, “kanë ndërmarrë hapa që prishin stabilitetin rajonal”.

Serbia, thotë më tej njoftimi, “si shtet garantues i paqes dhe neutralitetit ushtarak në Ballkan, me të drejtë kërkon përgjigje për natyrën dhe qëllimet e këtij bashkëpunimi të sigurisë”.

“Është veçanërisht shqetësues fakti që kjo aleancë ushtarake po formohet pa konsultime me Beogradin, me përfshirjen e drejtpërdrejtë të një strukture që nuk ka legjitimitet ndërkombëtar dhe që paraqet kërcënim për sigurinë për popullin serb dhe gjithë rajonin”, thuhet në deklaratë, raporton Klankosova.tv.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se synimi i bashkëpunimit nuk është kërcënim për askënd, por mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin.

“Synimi i këtij bashkëpunimi nuk është rast kërcënimi për askënd, mirëpo është mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë sigurinë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor por edhe sigurinë e vendeve tona. Tri vendet tona që ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta janë të bashkuara për t’u përballur me çdo kërcënim dhe rrezik që synon destabilizimin e regjionit. Rëndësia e këtij bashkëpunimi shtrihet edhe në rrafshe të tjera që u theksuan më herët nga dy ministrat, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes, shkëmbimit të personelit, trajnimit dhe edukimit. Një ndër pikat kyçe të këtij dokumenti është që Kroacia dhe Shqipëria do të angazhohen në vazhdimësi për mbështetjen e Kosovës në proceset e saj të integrimit euro-atlantik. Ky dokument hap rrugë për bashkëpunim në veçanti për t’u përballur për rreziqet moderne që kërcënojnë sigurinë rajonale që janë kërcënimet hibride dhe të tjera. Hap rrugë që edhe vende të tjera t’i bashkëngjiten kësaj përpjekje tonë të përbashkët për paqe stabilitet dhe më shumë siguri”, tha ai.

Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është një hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe për zhvillimin e kapaciteteve në përballimin e rreziqeve dhe sfidave të përbashkëta, shkruan KP.

“Deklarata përkthen jo vetëm një vullnet politik, por gjithashtu disa prioritete që ne ndajmë së bashku. Kryesisht ka të bëjë me rëndësinë që vendet tona i japin ri ngritjes së industrisë ushtarake dhe nevojën që në këtë shtyllë të sigurisë kombëtare vendet tona të bashkëpunojnë edhe më thellë dhe më gjerë. Pika e dytë ka të bëjë për bashkëpunimin që forcat tona të armatosura do të bëjnë, qoftë në stërvitje apo në kapacitete. Kosova dhe Shqipëria kanë çka të mësojnë nga një aleat i vyer si Kroacia. Kjo deklaratë çel sirtarin e një bashkëpunimi më të thelluar dhe kemi marrë interes edhe nga aleatë të tjerë që t’i bashkohen kësaj iniciative”, tha ai.

E ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, tha se ky zhvillim strategjik pasqyron aleancën e ngushtë mes tri shteteve, të lidhura nga historia, sakrificat për liri dhe një vizion i përbashkët për një të ardhme të sigurt, transmeton Klankosova.tv.

“Për shkak të gjeopolitikës duam të kemi bashkëpunim në rajonin tonë duke pasur parasysh rreziqet që janë prezentë dhe situatat që po ndodhin në Evropë, duke iu referuar edhe Ukrainës. Jemi duke menduar edhe për të kaluarën tonë e cila nuk është shumë e largët. Një informacion që e kemi nga e kaluara dhe na jep mundësi për t’u menduar, prandaj kemi marrë vendimin që të kemi një bashkëpunim ndërmjet tre shteteve. Ky bashkëpunim do të bazohet sidomos te dhënia e ndihmës te pjesa e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes, ndryshimit të përmbushjes së të gjithë marrëveshjeve që kemi firmosur deri tani. Këto tani duam t’i fuqizojmë dhe të ndajmë eksperiencën e shtetit tonë si Kroaci si pjesë e NATO-s dhe BE-së”, theksoi Anushiq.

Kjo marrëveshje trelaterale u konsiderua si e para në rajon.

Të ngajshme

Dalin pamjet e grabitjes te Albi Mall, skena si në filma – ky është momenti kur pati shkëmbim zjarr

KushtrimGuraj

Mospjesëmarrja e krerëve të shtetit në varrimin e Haxhi Thaçit, Musliu: Lavdia u takon UÇK-së e turpi qeverisë së Kurtit

KushtrimGuraj

Dërguti: Pushteti aktual ka doza të armiqësisë ndaj atyre që janë në Hagë

KushtrimGuraj