Telenews

Finlanda shteti më i lumtur në botë për të tetin vit radhazi

Raporti Botëror i Lumturisë i këtij viti, i publikuar të enjten, ka matur besimin te të huajt duke humbur qëllimisht portofoliot, duke parë se sa prej tyre janë kthyer dhe duke e krahasuar me atë se sa njerëz mendonin se ato do të dorëzoheshin.

Shkalla e portofoliove të kthyera ishte pothuajse dy herë më e lartë se sa parashikonin njerëzit dhe studimi, i cili ka mbledhur prova nga e gjithë bota, ka zbuluar se besimi në mirësinë e të tjerëve ishte më i lidhur me lumturinë sesa mendohej më parë, raporton BBC.

Raporti e rendit Finlandën si vendin më të lumtur në botë për të tetin vit radhazi, teksa SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë rënë më poshtë në listë.

John F. Helliwell, një ekonomist në Universitetin e Kolumbisë Britanike dhe një redaktor i raportit, ka thënë se të dhënat e eksperimentit të portofolit treguan se “njerëzit janë shumë më të lumtur duke jetuar aty ku mendojnë se njerëzit kujdesen për njëri-tjetrin”.

Ai ka shtuar se studimi tregon se njerëzit ishin “gjithkund tepër pesimistë”, pasi janë kthyer më shumë portofolio sesa parashikohej.

Raporti i 13-të vjetor i Lumturisë Botërore, i publikuar për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë të OKB-së, rendit vendet më të lumtura në botë dhe u kërkon njerëzve të vlerësojnë jetën e tyre.

Finlanda përsëri ka zënë vendin e parë me një rezultat mesatar prej 7.736 nga 10, ndërsa Kosta Rika dhe Meksika kanë hyrë në top 10 për herë të parë.

Si Britania e Madhe ashtu edhe SHBA-ja kanë rënë në listë në vendin e 23-të dhe 24-të respektivisht – pozicioni më i ulët ndonjëherë për këtë të fundit.

Studimi, i publikuar nga Qendra Kërkimore e Mirëqenies në Universitetin e Oksfordit, u kërkoi njerëzve të vlerësojnë jetën e tyre në një shkallë nga 0-10. Zero është jeta më e keqe e mundshme, dhe 10 jeta më e mirë e mundshme.

Top 10 shtetet më të lumtura janë:

1. Finlanda
2. Danimarka
3. Islanda
4. Suedia
5. Holanda
6. Kosta Rika
7. Norvegjia
8. Izraeli
9. Luksemburgu
10. Meksika

Raporti Botëror i Lumturisë 2025 ka gjetur gjithashtu se ndarja e vakteve me të tjerët ishte e lidhur fort me mirëqenien në mbarë globin, dhe se madhësia e familjes ishte e lidhur ngushtë me lumturinë, me katër deri në pesë njerëz që jetonin së bashku duke shijuar nivelet më të larta të lumturisë në Meksikë dhe Evropë.

Të ngajshme

Gani Gecit i përkeqësohet gjendja shëndetësore në Burgun e Pejës, familja jep detaje

Rrezarta Ramaj

Kurti takon Haddadin, thotë se partneriteti me Francën po sjell rezultate konkrete

Rrezarta Ramaj

I zhdukur nga 2 korriku, policia kërkon ndihmë në gjetjen e Xhafer Raqit

Rrezarta Ramaj