Telenews

Shqetësime të mëdha për ndërtimet e larta në Prishtinë: Aktivisti Agron Demi reagon ashpër ndaj një projekti që po cilësohet si më i madhi në Ballkan

Ndërtimet e larta në kryeqytet po vazhdojnë të jenë burim shqetësimi për shumë banorë të Prishtinës, të cilët po përballen me mungesë të ajrit të pastër, hapësirave të gjelbra dhe infrastrukturës bazë që nuk po e ndjek ritmin e urbanizimit të vrullshëm.

Së fundmi, ka shpërthyer reagimi lidhur me një objekt të ri që po ndërtohet në një pjesë tejet të ngarkuar të qytetit, e që po reklamohet si ndërtesa më e lartë në Ballkan. Por jo vetëm përmasat kanë tërhequr vëmendjen – vendndodhja e këtij ndërtimi është ajo që ka alarmuar më shumë qytetarët dhe aktivistët urbanë, transmeton Telenews.al

Aktivisti Agron Demi ka reaguar me një status të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, ku e ka përshkruar shqetësimin e tij për këtë projekt që, sipas tij, sfidon çdo logjikë urbane dhe njerëzore:

“Në këtë gropën këtu, paskan vendosë me e përbiru edhe një ndërtesë, madje paska me qenë ma e larta në Ballkan. Kisha pas qef me ditë qysh i funksionon truni atij që jep leje kështu, e qysh ju funksionon logjika atyne që investojnë e atyre që vendosin me jetu e punu prej kësaj grope?!
Dje me Atlas Institute publikuam të dhënat për miliona metër katrorë leje ndërtimore që jepen çdo vit, pa respektu asnjë kriter për mirëqenien e banorëve që ende kanë vendosë me jetu në këtë qytet që ta nxë frymën.”, shkruan Demi në Facebook.

Ky reagim ka nxitur diskutime të shumta dhe ka rikthyer vëmendjen mbi mënyrën se si po jepen lejet ndërtimore në Prishtinë, shpesh pa ndonjë planifikim urban të qartë, pa analizë të ndikimit në jetesën e përditshme dhe pa transparencë ndaj qytetarëve.

Banorët e lagjeve përreth janë shprehur të shqetësuar për pasojat që një ndërtim i tillë mund të sjellë: rritje të ndotjes, trafik të rënduar, mungesë të dritës natyrale dhe presion të madh mbi infrastrukturën ekzistuese.

Në kohën kur qyteti përballet me probleme të theksuara të ndotjes dhe mungesës së hapësirave publike, lejet për ndërtime kaq të mëdha, të dhëna në mënyrë të pakuptueshme për qytetarët, vetëm sa thellojnë frustrimin dhe ndjesinë e humbjes së kontrollit mbi zhvillimin urban të Prishtinës.

Për shumë qytetarë, mbetet pyetja kryesore: Kush po e planifikon këtë qytet, dhe për kë po ndërtohet ai?

Të ngajshme

Deri në 1 orë e 10 minuta pritjet për të dalë nga Kosova në Merdarë e te Dheu i Bardhë

Valjeta Turkaj

Dërgoi faturat pa zarfa, KESCO dënohet me 25 mijë euro

Valjeta Turkaj

Aksident zinxhiror në Gjakovë, tre të lënduar

Valjeta Turkaj