Drejtori i futbollit në Artmotion, Arlind Sadiku, ka bërë të ditur se të gjithë tifozët në Tiranë janë shpërndarë dhe gjithçka është mbyllur në mënyrë të qetë.
Sadiku u shpreh se e vetmja dramë është shkaktuar nga 5-6 policë serbë, të cilët pas përfundimit të ndeshjes nuk donin që ta lejonin që ai të bënte intervista, gjë për të cilën i publikoi edhe pamjet.
“U rrethova nga 5-6 forca të Policisë së Serbisë që ishin në uniformë civile dhe ishin nën petkun e Federatës së Futbollit të Serbisë. Ata kërkonin që të mos qëndroja aty për t’i bërë intervista, pasi në të njëjtin pozicionin bënin intervistat edhe futbollistët e Serbisë dhe trajneri dhe ishte pozicion që e kishte caktuar UEFA”.
“Thjesht donin të më provokonin dhe të dilja nga vetja në mënyrë që të shkaktoja nga një incident. Kam qenë i vetëdijshëm se propaganda e Serbisë është shumë e zhvilluar, sidomos në media por nuk kam besuar që kjo mund të shkojë deri te ekipi i Serbisë apo forcat policore të Serbisë për të më trajtuar në këtë formë”, u shpreh Sadiku.
Sipas tij, e tërë kjo sjellje e policëve serbë në Tiranë ishte për shkak të shqiponjës që Sadiku e pati bërë në Kampionatin Evropian përpara tifozëve serbë.
“Secili me shihte në sy, sikur frikësoheshin prej meje për shqiponjën që e kam bërë në Kampionatin Evropian”.
“Por, falënderoj UEFA-n, pasi me insistimin e tyre mbeta aty sepse sipas tyre, nuk pati asnjë arsye legjitime që unë ta lëshojë vendin për të mos i bërë intervistat në stadium”, tha ai.