Situata e zjarreve në Shqipëri mbetet shqetësuese, me 29 vatra të regjistruara në 24 orët e fundit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, 13 prej tyre janë ende aktive, ndërsa gjashtë të tjera janë në monitorim të vazhdueshëm.
Siç raporton Euronews.al, në Delvinë, flakët në zonën e fshatit Kalasë kanë përfshirë disa banesa. Operacionet për shuarjen e zjarrit vijojnë me angazhimin e forcave tokësore dhe helikopterëve, ndërsa situata mbetet kritike për shkak të terrenit të vështirë dhe erës.
Zjarre aktive raportohen edhe në qarqet Vlorë, Selenicë, Gjirokastër, Dibër, Mat, Bulqizë, Elbasan, Lezhë, Korçë, Devoll, Maliq, Pogradec, Berat, Kukës, Tiranë dhe Fier.
Sipas raportimeve, në Parkun Kombëtar të Lurës në Dibër janë djegur mbi 350 hektarë, ndërsa në Mat dhe Selenicë flakët rrezikojnë banesa dhe zona të banuara. Në Gjirokastër, zjarri pranë tunelit të Skërficës vijon të jetë aktiv.
Ndërhyrja në shumë raste bëhet e vështirë për shkak të terreneve malore dhe mungesës së aksesit rrugor.