Sot, më 26 korrik 2025, në shënim të 14 vjetorit të rënies së Heroit Enver Zymeri, përkatësisht në nderim të ‘Ditës Përkujtimore’ për policët e rënë në krye të detyrës, kanë filluar aktivitetet në shënim të kësaj Dite, ka njoftuar kështu Policia e Kosovës.
Në ora 08:00, sipas agjendës së paraparë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, me stafin e lartë menaxhues kanë vizituar në Kaçanik, familjen e zyrtarit policor të rënë në krye të detyrës Rreshter Muhamed Lika.
Që në orët e hershme kanë filluar disa nga aktivitetet si, hapja për homazhe pranë Pllakës Përkujtimore për Policët e Rënë në Krye të Detyrës, si dhe aktivitete sportive në shënim të kësaj dite, e që përfshijnë: ecje, çiklizëm, vozitje me motorë dhe gara me kayak.
Në ora 09:00, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë, pranë ‘Pllakës Përkujtimore për Policët e Rënë në Krye të Detyrës’, kanë vendosur kurora lulesh Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Albin Kurti, Ministri i Punëve të Brendshme z.Xhelal Sveçla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Kolonel Gazmend Hoxha, si dhe kanë bërë nderime personalitete shtetërore e stafi i lartë menaxhues i PK-së.
Policia e Kosovës ka njoftuar se në nderim të kësaj dite po vazhdojnë aktivitetet tjera sipas agjendës së paraparë.