Telenews

Barduani: Rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake, por politike

Komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Enrico Barduani, në informimin e tij të fundit para Komitetit Ushtarak të NATO-s dhe Këshillit të Atlantikut të Veriut, ka theksuar se rruga drejt një sigurie të qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake, por politike.

Ai theksuar se “situata në Kosovë është e qëndrueshme, por mbetet subjekt i rreziqeve të përshkallëzimit të papritur, për shkak të një sërë çështjesh të pazgjidhura”.

Barduani tha se, pavarësisht sfidave në terren, “KFOR ka qëndruar në rrugën e duhur”, duke ndihmuar në “ruajtjen e stabilitetit dhe zbutjen e situatave që mund të kishin çuar në incidente ose shpërthime të paqëndrueshmërisë” dhe duke kontribuar “në ruajtjen e një kuadri sigurie që mund të ndihmonte përpjekjet e vazhdueshme dhe të rëndësishme diplomatike”.

Duke ripërsëritur mbështetjen e NATO-s dhe KFOR-it për dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë, ai theksoi: “KFOR-i ka demonstruar – edhe një herë – se është i gatshëm dhe i aftë të luajë rolin e tij dhe të përshtasë qëndrimin e tij, sipas nevojës. Që të lëvizim përpara është e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina t’i implementojmë marrëveshjet ekzistuese. Të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet që të bëjnë kompromiset e nevojshme”.

 

Barduani ka vlerësuar gjithashtu edhe forcimin e misionit, përfshirë vendosjen e përkohshme të forcave rezervë, si dhe thellimin e bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare, organizatat e sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura Serbe.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.”, thuhet në njoftim.

Të ngajshme

Raportohet se katër policë të Njësisë Speciale suspendohen se bënë shaka me Dimal Bashën

Erzana Fazliu

Tërmet në Shqipëri

Erzana Fazliu

TelenewsJobs hapësira ku fillon karriera dhe rritet ekipi juaj

Valjeta Turkaj