Telenews

India e kalon Kinën si superfuqia e tretë ajrore

India ka kaluar Kinën duke u renditur si fuqia e tretë më e madhe ajrore në botë, pas Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Kështu bën të ditur raporti më i fundit i World Directory of Modern Military Aircraft (WDMMA), i publikuar nga Newsweek.

Kina, që prej vitesh cilësohej si lideri ajror i Azisë, tani ka rënë në vendin e katërt, në një ndryshim që sinjalizon transformimin e ekuilibrave strategjikë në kontinent. Raporti i WDMMA përfshin 103 shtete dhe 129 shërbime ajrore, duke ndjekur flotat e gjithsej 48.082 avionëve në mbarë botën.

Shtetet e Bashkuara mbesin në krye me fuqi ajrore që tejkalon flotat e kombinuara të Rusisë, Kinës, Indisë, Koresë së Jugut dhe Japonisë. Kjo epërsi e padiskutueshme mbështetet në faktin se SHBA-ja përfaqëson gati 40% të shpenzimeve ushtarake globale.

India tashmë renditet në vendin e tretë me një vlerësim TruVal (TVR) prej 69.4, që mat jo vetëm numrin e avionëve, por edhe kapacitetet sulmuese e mbrojtëse, logjistikën, modernizimin dhe trajnimin operativ.

Flota e saj përfshin 1.716 njësi ajrore, me përbërje të balancuar: 31.6% avionë luftarakë, 29% helikopterë dhe 21.8% avionë trajnues. India, që furnizohet si nga SHBA-ja ashtu edhe nga Rusia, reflekton pozitën e saj gjeopolitike gjithnjë e më të rëndësishme.

Epërsia e re e Indisë u dëshmua sidomos gjatë Operacionit “Sindoor”, një seri goditjesh precize në maj kundër infrastrukturës në Pakistan dhe Kashmir, si përgjigje ndaj një sulmi terrorist më 22 prill në Pahalgam që la 26 të vrarë. Ky operacion shfaqi saktësi, koordinim dhe fuqi goditëse të lartë, duke vërtetuar rritjen e aftësive të Forcës Ajrore Indiane.

Kina tani qëndron me një TVR prej 58.1. Megjithëse vazhdon të investojë në teknologji dhe modernizim, ajo mbetet prapa Indisë për shkak të faktorëve si trajnimi, mbështetja ajrore afër dhe mungesa e njësive të specializuara bombarduese. Diferenca mes dy fuqive tregon se numri i avionëve nuk mjafton pa efikasitet operacional dhe përgatitje strategjike.

TOP 10 FUQITË AJRORE BOTËRORE:

  1. Forca Ajrore e SHBA-së – TVR 242.9
  2. Marina e SHBA-së
  3. Rusia – TVR 142.4
  4. Ushtria Ajrore e SHBA-së
  5. Korpusi i Marinës së SHBA-së
  6. India
  7. Kina
  8. Japonia
    1. Izraeli
    2. Franca

    Nëse llogariten të gjithë fuqitë ajrore të SHBA-së së bashku – Forca Ajrore, Marina, Ushtria dhe Korpusi i Marinës – India ngjitet në vendin e tretë, duke u pozicionuar si fuqi ajrore me ndikim global.

Të ngajshme

Dogana ndalon dy çanta luksoze “Hermes” të padeklaruara në Vërmicë, me vlerë mbi 16 mijë euro

Valjeta Turkaj

Çallaku: Koha për qeveri të reformës institucionale

Valjeta Turkaj

Kryeministri palestinez thotë se duhen pesë vjet dhe miliarda dollarë për të rindërtuar Gazën

Valjeta Turkaj