Telenews

Ylli slloven Jan Oblak komenton lojën e Kosovës

Kombëtarja e Kosovës sonte përballet me përfaqësuesen e Sllovenisë nga ora 20:45, ndeshje kjo parafundit e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, në stadiumin “Stozhice”.

Rivalët e Kosovës, “Dardanët” po i shohin si të vështirë për t’u kaluar.

Përzgjedhësi slloven, Matjazh Kek tha se është i kënaqur me atë që ka parë gjatë stërvitjeve të kësaj jave të ekipit të tij.

“Nuk kemi probleme të mëdha me lëndime, edhe pse na mungon Benjamin Sheshko dhe i pezulluari Adam Gnezda Çerin. Në kualifikime gjithmonë përballesh me lëndime dhe kartonë, por prandaj e kemi ekipin të kompletuar”, tha Kek para ndeshjes.

Jo të gjithë lojtarët janë 100% gati, Benjamin Verbiç dhe Jan Oblak kanë pasur disa shqetësime, por portieri i Atletico Madridit pritet të jetë sërish titullar. Oblak pret një sfidë të vështirë.

“E dimë që Kosova është shumë e rrezikshme në kundërsulme. Edhe në Prishtinë nuk mund të sulmonim që nga fillimi sepse nuk e përballojmë një ritëm të tillë për 90 minuta. Duhet të luajmë me mend. Jemi të vetëdijshëm që na duhen tri pikë, por kjo s’do të thotë se do të vrapojmë ‘kokë më kokë’ që në fillim”, tha Oblak, duke theksuar dëshirën e madhe të ekipit për Botëror. “E dimë që na pret një detyrë e vështirë, por sa kohë që ekziston mundësia, unë besoj”.

Sllovenia i nisi kualifikimet me barazim në shtëpi ndaj Suedisë (2:2) dhe humbje të thellë në udhëtim ndaj Zvicrës (0:3). Më pas erdhën dy barazime pa gola – fillimisht në Kosovë dhe më pas në shtëpi ndaj Zvicrës muajin e kaluar. Fituesi i grupit siguron direkt biletën për Botërorin që mbahet verën e ardhshme në ShBA, Kanada dhe Meksikë, ndërsa vendi i dytë shkon në “play-off”.

Ndeshja do të gjykohet nga gjyqtari francez Clement Turpin me ekipin e tij.

Të ngajshme

Cana i thurr lavde Xhakës, tregon për bisedën që e kishte para transferimit në Sunderland

Donat Hashani

Sonte derbi i madh i basketbollit kosovar

Donat Hashani

Edhe trajneri i Sllovenisë komenton Kosovën

Donat Hashani