Talenti i Turqisë, Kenan Yildiz, ka pranuar se përballja e radhës në kualifikimet e Botërorit 2026 do të jetë kundër “kombëtares më të mirë në botë”, duke iu referuar Spanjës, që kryeson grupin në raundin e parë të kualifikimeve.
Pas fitores së rëndësishme ndaj Bullgarisë, Yildiz foli hapur për vështirësitë e ndeshjes, duke thënë: “Bullgaria luajti shumë mirë, i përgëzuam në fund të ndeshjes sepse na e vështirësuan punën”.
“Ne luajtëm mirë si ekip. Fusha ishte e rrëshqitshme dhe ishte e vështirë për ne. Fitore me një paraqitje të shkëlqyer. Do të mundohemi të jemi edhe më mirë në ndeshjet e ardhshme”.
Ai shtoi edhe një koment të qartë për fuqinë e rivalit të radhës: “Spanja është aktualisht kombëtarja më e mirë në botë, janë në vendin e parë. Do të bëjmë gjithçka që mundemi dhe, nëse do Zoti, do të marrim një rezultat të mirë atje”.
Yildiz deri tani ka realizuar tre gola për Turqinë në këto kualifikime dhe tashmë po përgatitet për testin më të madh – përballjen me Spanjën, që pritet të jetë vendimtare për garën në grup.

