Telenews

Dëshmia që mund të lëkundë fatet – Wesley Clark sot përballë Hagës

Wesley Clark, ish-komandanti suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, do të fillojë dëshminë sot në procesin gjyqësor që është duke u zhvilluar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Sipas gazetares së Klan Kosovës, Rina Mujku, e cila po qëndron në Hagë nga dje, dhe do ta përcjellë nga afër dëshminë e Clarkut, ai fillimisht do të pyetet për të kaluarën e tij, për gjithë përvojën ushtarake që ka pasur para se të shërbente si gjeneral me katër yje dhe si kryekomandant i Forcave Evropiane të NATO-s, e më pas do të pyetet për gjithçka që di në lidhje me luftën e fundit në Kosovë, transmeton Klankosova.tv.

Tema e parë që mbrojtja e Thaçit do të ngrejë ndaj Clarkut do të jetë përpjekja e tij për zbatimin e marrëveshjes së arritur mes Sllobodan Millosheviqit dhe Ibrahim Rugovës në tetor të vitit 1998, e më pas për Rezolutën 1199 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Më tej, ai pritet të flasë edhe për fushatën 78-ditore të bombardimeve të NATO-s mbi caqet jugosllave, që solli më pas lirinë për Republikën e Kosovës.

Përveç kësaj, mbrojtja pritet ta pyesë edhe për marrëveshjen e demilitarizimit dhe hyrjen e KFOR-it në Kosovë në vitin 1999, si dhe për të gjitha përgjegjësitë që ka pasur Hashim Thaçi dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Wesley Clark, sipas Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, nis dëshminë në mesditë.

Të ngajshme

“Sulmet serbe ndaj popullatës në Kosovë ishin në rritje”, Clark tregon si lindi plani për ndërhyrje

Valjeta Turkaj

Gjenerali Clark: Pas vrasjes së familjes Jashari, më thanë se shqiptarët do të kundërpërgjigjeshin

Valjeta Turkaj

Oda Ekonomike e Kosovës fiton betejën ligjore ndaj ZRrE-së në Gjykatën Supreme

Valjeta Turkaj