Rreth 15 kamionë me misër, me një peshë totale prej 420 tonësh, janë ndaluar në pikën kufitare të Hanit të Hotit, pasi ngarkesat dyshohet se mund të përmbajnë nivel të lartë aflatoksine.
Kontrollet e ushqimit po vijojnë përmes analizave laboratorike, për të verifikuar sigurinë e produktit para se të lejohet ose jo hyrja në treg.
Siç shkruan Joq Albania, vetëm gjatë këtij muaji, në të njëjtin pikë kufitare janë ndaluar nga AKU edhe ngarkesa të tjera me origjinë nga Serbia.
Më 8 nëntor, një kamion me 25 tonë misër rifuxho, dhe më 14 nëntor një tjetër sasi prej 50 tonësh, u bllokuan pasi dyshimet paraprake ngritën pikëpyetje mbi cilësinë.
Aflatoksina B1 njihet si një substancë e rrezikshme për bagëtinë dhe mund të ndikojë në mënyrë të tërthortë tek konsumatorët, ndaj rastet e tilla marrin rëndësi të veçantë.
Në këtë situatë, ekspertë të sigurisë ushqimore ngrenë pyetje nëse ngarkesa të tjera të importuara më herët mund të kenë pasur problematika të ngjashme dhe të kenë hyrë në treg para se të konstatohej rreziku aktual.
Deri tani nuk ka të dhëna që tregojnë për një rrezik të menjëhershëm për konsumatorët, por situata shton nevojën për kontrolle të rrepta dhe transparente, sidomos për produktet që vijnë nga vendet me histori të përsëritur problematikash.
Analizat laboratorike për 420 tonët e bllokuar pritet të përcaktojnë nëse misri do të lejohet të hyjë në treg apo do të skualifikohet për shkak të rrezikut të mundshëm.

