Shtetasi i Kosovës, Selim Voca, ka vdekur në një aksident trafiku në qytetin Aleksinac në Serbi.
Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila tha se ka pranuar raportimet zyrtare lidhur me vdekjen e Vocës, i cili, sipas MPJD-së, ka vdekur pas një aksidenti me tren.
“Z. Voca ishte raportuar si person i zhdukur nga bashkëshortja e tij më 19.11.2025, në stacionin policor në Mitrovicë, Jug. Sipas informatave zyrtare, trupi i pajetë i të ndjerit aktualisht ndodhet në Spitalin e Nishit”, ka thënë ministria.
MPJD bëri të ditur se, në koordinim me institucionet relevante të Republikës së Kosovës, është angazhuar për të mundësuar kthimin sa më të shpejtë të trupit të të ndjerit në Kosovë.
“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është në komunikim të vazhdueshëm me familjarët e viktimës dhe me autoritetet përkatëse, me qëllim të ofrimit të asistencës së nevojshme në kuadër të kompetencave të saja dhe të lehtësimit të të gjitha procedurave të kërkuara”, u tha në njoftimin e MPJD-së.
Ministria tha se institucionet e Kosovës do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për trajtimin e rastit me seriozitetin dhe urgjencën e duhur.

