Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bashkë me operatorët e ndërmarrjes së “Trafikut Urban” dhe privatë, kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës, për të kërkuar pagën që iu është mohuar tash e sa muaj.
Rama, së bashku me protestuesit, i bënë thirrje kryeministrit në detyrë Albin Kurti, por edhe ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Muratit, që t’i presin në takim, transmeton Klankosova.tv.
Në fjalën e tij, Rama tha se kërkesat e tij për muaj të tërë janë injoruar nga Ministria e Financave.
“Faleminderit për punën që ka bërë Trafiku Urban deri tash po ashtu edhe sektori privatë përkundër faktit të vështirësive buxhetore tash e sa muaj që i kemi si rezultat i mosalokimit të mjeteve, të hyrave vetanake të kryeqytetit të cilat me Ligj të Buxhetit i dedikohen kryeqyteti. Janë të hyrat tona, vetanake të qytetarëve e të cilat në mënyrë jo ligjore mbahen peng këtu në Ministrinë e Financave duke u arsyetuar me arsyetime të kota e jo ligjore. Ne kemi bërë edhe kallëzim penal ndaj Ministrit Hekuran Murati dhe tre zyrtarëve për mosveprim, pra nuk e kanë kryer punën e tyre profesionale. Edhe pas kërkesave të njëpasnjëshme për muaj të tërë, janë injoruar total. Kjo është sikur paratë e juaja që i keni në bankë me vendos mos me ua dhënë sepse iu ka tekë. Kjo është tentim me iu hedh hi syve”, tha Rama.
Derisa përfaqësuesi i “Trafikut Urban”, Elmi Gashi ka bërë një lutje interesante. Ai tha se vetëm 1 janari do të festohet, e jo edhe 28 dhjetori, dita e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Pos tjerash, ai u kërkoi qytetarëve që t’i çelin sytë para kutive të votimit.
“Kërkojë nga zyrtarët me na prit e me pasë një takim për ta hedhur të drejtën në sy. Ftojë qytetarët e Kosovës që të festojnë veç me 1 janar por jo edhe me 28 nuk kemi me festu, le ta mbajnë këta festën. I ftojë qytetarët t’i çelin sytë para kutive të votimit, se për këtë formacion që ka qenë më parë nuk i kisha votuar asnjë. Në të kundërtën, le të dalin dhe të mbizotërojë arsyeja, asnjë punëtorët e Trafikut Urban nuk ka me dalë te kutitë, familjet tona me mbet pa bukë. Po bllokohet Prishtina, po bllokohen shkollat e çerdhet. Ju lutem dilni dhe arsyetojeni veten, nëse nuk është këtu ne shkojmë kërkojmë kudo që është zgjidhja për ne”, tha Gashi. /

