Familja e banores së Big Brother VIP Kosova, Sasa Hoda, ka reaguar pas reagimeve të shumta që pasuan deklaratën e saj lidhur me gjyshen, e bërë mbrëmë gjatë një momenti të ndjeshëm në emision. Ata theksuan se shprehja që Sasa përdori ishte e pasaktë dhe e papranueshme, duke nënvizuar se ajo nuk reflekton aspak vlerat e familjes dhe realitetin.
Në një deklaratë të dërguar për publikun, familja e Sasës shprehet se gjyshja e saj ka qenë një figurë e nderuar dhe e respektuar, e cila ka kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme për komunitetin dhe ka ndihmuar shumë familje gjatë periudhës së luftës.
Deklarata e familjes:
“Duam të sqarojmë një keqkuptim të rëndë që ka dalë nga një deklaratë e gabuar e bërë prej Sasës mbrëmë, lidhur me gjyshen e saj. Në një moment të papërshtatshëm dhe nën presion emocional, ajo përdori një shprehje të pasaktë dhe të papranueshme, e cila nuk reflekton aspak realitetin dhe as vlerat e familjes tonë,” theksojnë ata.
Sipas familjes, gjyshja e Sasës, pavarësisht prejardhjes së saj, ka qenë një grua me zemër të madhe dhe ka shërbyer me humanizëm në kohë të vështira, duke ofruar ndihmë për ata që kishin nevojë.
“E vërteta është se gjyshja jonë, pavarësisht prejardhjes së saj, ka qenë një grua që i ka shërbyer njerëzve me zemër të madhe. Në kohë të vështira të luftës, ajo ka ndihmuar shumë familje në nevojë, ka ndarë bukë, ka ofruar strehë dhe mbështetje, dhe është e njohur nga i gjithë qyteti për humanizmin e saj. Asnjëherë nuk ka bërë ndonjë veprim që cenon dinjitetin apo jetën e kujtdo, përkundrazi ka qenë një shembull i vlerave njerëzore,” theksojnë familjarët.

