Ish-diplomati amerikan Christopher Hill ka komentuar kritikat e tij ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke theksuar se në negociata është thelbësore të dëgjosh dhe të kuptosh perspektivën e palës tjetër.
Në intervistën për “Euronews Albania”, Hill, duke u mbështetur në përvojën e tij të gjatë diplomatike, ka theksuar se Kurti duhet të tregojë më shumë gatishmëri për të parë çështjet nga këndvështrimi i tjetrit.
Sipas tij, raportet aktuale karakterizohen nga mungesë besimi, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi mbi problemet kryesore, transmeton Klankosova.tv.
“Mendoj se ka mungesë besimi, mendoj se ka mungesë të modeleve të bashkëpunimit, ka edhe mungesë të të kuptuarit se cili është problemi. Mendoj se kryeministri Kurti nuk ka menduar se populli serb do të ketë një agjendë komplet të veten në mënyrë që të largohet nga Kosova dhe të ndryshojë kufijtë ndërkombëtarë ose çfarë ne nënkuptojmë si kufij ndërkombëtarë. Mendoj se ka plot mungesë besimi aty, megjithatë mendoj se duhet të ketë përpjekje më serioze për t’u adresuar që edhe Kosova të merret me këtë çështje. Nuk mund të presë nga shtetet e tjera të menaxhojnë problemet e tyre, dhe ata e donin të ishin të pavarur dhe i duhet të vuajnë pasojat, le të themi… për të qenë të pavarur. Dhe pasojë e kësaj është që të mos shkosh në vende të tjera dhe të thuash “shiko, ne duam që ju të shtoni presionin dhe të vendosni sanksione palëve të tjera”. Duhet të merren me këtë çështje”, ka deklaruar Hill.
Lidhur me marrëdhëniet aktuale mes ShBA-së dhe Kosovës, ish-diplomati ka vlerësuar se ekziston një perceptim se Kosova nuk po bashkëpunon sa duhet me Uashingtonin, një përshtypje që, sipas tij, është e vështirë të ndryshohet. Ai ka shtuar se periudha e gjatë pa qeveri të re krijon paqartësi për partnerët ndërkombëtarë.
“Ata nuk më kanë pyetur, megjithatë jeni ju duke më pyetur dhe mendoj se është një kohë e gjatë pa qeveri të re. Duke folur me sinqeritet, nëse vjen nga SHBA dhe BE dhe ti do pyesësh se çfarë po ndodh në Kosovë dhe përgjigjja është se ata kanë një vit që janë pa qeveri, nuk është një përgjigje që do të dëgjosh, dhe mendoj se duhet të kemi më shumë kuptueshmëri dhe nuk bëhet fjalë për Serbinë këtu por për Kosovën. Mendoj se ata duhet të kuptojnë se duhet ta zgjidhin këtë problem sepse komuniteti ndërkombëtar ka një mijë gjëra të tjera për t’u shqetësuar përveç pjesës së krijimit të qeverisë në Kosovë. Unë e di që ne kemi amerikanët, kemi Bashkimin Europian i cili punon me problemet në Ballkan, por unë mund t’ju them atë që u ndodh kryeqyteteve: ne nuk është se ulemi të shqetësuar për Ballkanin, jemi duke u shqetësuar për Ukrainën, çfarë do bëhet atje”, tha Hill.

