Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur sot tubimin e parë në qytetin e Obiliqit.
Nga këtu, kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku u premtoi atyre 5 miliardë euro investime në infrastrukturë, energji, ujë, hekurudha, sport e po ashtu edhe në kulturë, si dhe central të ri me gaz për pavarësi energjetike.
“5 miliardë euro investime në infrastrukturë, energji, ujë, hekurudha, sport dhe kulturë. Centrali i ri me gaz për pavarësi energjetike. Rrugë që lidhin rajonet. Projekte që hapin vende pune”, tha Abdixhiku gjatë tubimit.
Abdixhiku theksoi se LDK beson që zhvillimi ekonomik nuk mund të vijë duke sakrifikuar shëndetin e njerëzve dhe se energjia nuk mund të prodhohet pa standarde mjedisore.
“Nuk mund të ekzistojë pa përgjegjësi sociale. Dhe se Obiliqi nuk mund të mbetet zonë flijimi për rehati politike. Prandaj programi ynë parasheh investime serioze në energji të pastër, në modernizim të kapaciteteve ekzistuese dhe në mbrojtje reale të mjedisit”, deklaroi Abdixhiku.

