Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, pritet ta kthejë në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pas kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Sipas raportimeve në media, presidentja pritet ta respektojë kërkesën e PDK-së, si propozuese e këtij ligji, dhe ta rikthejë atë në Kuvend për shqyrtim të mëtejmë.
PDK-ja i kërkoi presidentes, përmes një letre zyrtare të enjten, që ligji të kthehet në Kuvend me qëllim të plotësimit të disa dispozitave dhe forcimit të sigurisë juridike.
Sipas partisë, kërkesa vjen pas konsultimeve të gjera dhe synon të garantojë mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë.
PDK-ja ka theksuar se pjesa dërrmuese e ligjit është finalizuar dhe se kthimi për rishqyrtim nuk nënkupton nisjen e procesit nga e para, por një verifikim përfundimtar profesional për të adresuar dispozitat që mund të krijojnë pengesa gjatë zbatimit.
Partia ka bërë të ditur se kërkesa është për rikthimin e ligjit në Kuvend, e jo në Qeveri apo për nisjen e punës nga fillimi.

