Klubi i Gjilanit është një nga klubet më të veçanta në Superligë.
Kjo pasi që skuadra gjilanase, çdo fundvit tregon edhe anën e tyre humane duke ndihmuar edhe shoqatat për bamirësi.
“Skifterat”, ndan nga 2 mijë euro duke mbështetur financiarisht, Qendrën e Kujdesit Ditor “Pema”, Shoqatën “Handikos” dhe Shoqatën e të Verbërve në Gjilan.
“Sporti nuk është vetëm garë dhe emocione në fushë – ai është edhe zemër, solidaritet dhe përgjegjësi shoqërore. Me këtë frymë, Fondacioni Sport Club Gjilani ka ndërmarrë një hap domethënës duke mbështetur financiarisht Qendrën e Kujdesit Ditor “Pema”, Shoqatën “Handikos” dhe Shoqatën e të Verbërve në Gjilan.
Kjo iniciativë humane u bë e mundur falë përkrahjes së vazhdueshme dhe të parezervë të partnerëve tanë të çmuar: “El Bau”, “Demiri Gartenbau GmbH” dhe “Autovillage AG”, të cilët qëndrojnë pranë klubit jo vetëm në sport, por edhe në misione me vlerë të lartë shoqërore.Drejtuesit e klubit, së bashku me një pjesë të futbollistëve dhe stafit teknik, vizituan nga afër këto tri shoqata, ku u ndanë mjete simbolike financiare dhe dhurata modeste – si shenjë respekti, mbështetjeje dhe përkushtimi ndaj atyre që kanë më së shumti nevojë.
Fondacioni SC Gjilani mbetet i përkushtuar që edhe në të ardhmen të zgjerojë veprimtarinë humanitare, duke synuar rritje të vazhdueshme dhe mbështetje për sa më shumë organizata e iniciativa që kontribuojnë në mirëqenien e komunitetit tonë”, shkruhej në postimin e Gjilanit në faqen e tyre zyrtare në “Facebook”.

