Ora inteligjente mund të tregojë se keni pasur tri orë gjumë të thellë, por a duhet t’i besoni plotësisht këtyre të dhënave? Miliona njerëz përdorin aplikacione dhe pajisje të mveshshme si ora, unaza inteligjente apo sensorë për të monitoruar gjumin, por ekspertët paralajmërojnë se këto mjete kanë kufizime të qarta.
Këto pajisje nuk e matin gjumin drejtpërdrejt. Ato nxjerrin përfundime bazuar në rrahjet e zemrës dhe lëvizjet e trupit gjatë pushimit, shkruan burimi Euronews Health transmeton Telenews.al.
Sipas studiuesve, algoritmet moderne janë mjaft të sakta për të përcaktuar nëse një person është në gjumë, por janë më pak të sakta kur bëhet fjalë për ndarjen e fazave të gjumit, si REM dhe non-REM. Studimet laboratorike mbeten standardi më i saktë për këtë qëllim.
Neurologët theksojnë se të dhënat nga pajisjet duhet të shihen si tregues afatgjatë dhe jo si vlerësim përfundimtar i shëndetit të gjumit. Një natë e vetme me rezultate të dobëta nuk është arsye për shqetësim. Më e rëndësishme është përmirësimi i zakoneve të gjumit, si rutina e qetë para fjetjes, shmangia e ekraneve dhe krijimi i një ambienti të rehatshëm.
Nga ana tjetër, për disa përdorues, këto pajisje kanë ndihmuar në identifikimin e zakoneve që dëmtojnë gjumin, si konsumimi i alkoolit ose ngrënia vonë në mbrëmje. Megjithatë, për disa persona, përqendrimi i tepruar te rezultatet mund të shkaktojë ankth, një fenomen i njohur si “orthosomnia”.
Ekspertët bien dakord se pajisjet e gjurmimit të gjumit mund të jenë të dobishme, për aq kohë sa përdoren me maturi dhe nuk zëvendësojnë këshillën profesionale mjekësore.

