Telenews

Specialja ia vazhdon paraburgimin Kadri Veselit, edhe pse gjykimi ka përfunduar

Gjykimi në rastin ndaj Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ka përfunduar, bashkë me dëgjimin e të gjithë dëshmitarëve, ndërsa prova të reja nuk ka më.

Megjithatë, katër ish-krerët e UÇK-së vazhdojnë të mbeten në paraburgim.

Së fundmi, Kadri Veseli i është vazhduar masa e paraburgimit me vendim të gjyqtarëve të Gjykatës Speciale.

Kjo ndodh edhe pse vetë gjyqtarët kanë konstatuar se nuk ekziston rrezik arratisjeje, se procesi gjyqësor është drejt përfundimit dhe se nuk ka prova që Veseli mund të ndikojë në dëshmitarë.

Pavarësisht këtyre vlerësimeve, masa e paraburgimit ndaj tij është zgjatur sërish.

Në vendimin e tyre, gjyqtarët kanë theksuar gjithashtu se Prokuroria po vazhdon të paraqesë të njëjtat argumente si më parë.

Gjyqtarët sërish theksuan se Prokuroria po i përmend të njëjtat argumente.

“Paneli vëren se ZPS-ja po paraqet në thelb të njëjtat argumente që Paneli i ka shqyrtuar dhe hedhur poshtë tashmë në lidhje me çështjet e mëposhtme: (i) ndërgjegjësimi i Z. Veseli për seriozitetin e akuzave të konfirmuara kundër tij; (ii) potenciali i një dënimi të gjatë; (iii) provat e paraqitura kundër tij; dhe (iv) ndërgjegjësimi i Z. Veseli për ndryshimin e kushteve të paraburgimit të tij. Në këtë drejtim, Paneli kujton konstatimin e Panelit të Gjykatës së Apelit se nuk duhet të pritet që Gjyqtari i Procedurës Paraprake të shqyrtojë parashtresa që thjesht përsërisin argumente që janë trajtuar tashmë në vendimet e mëparshme të shqyrtimit”, thuhet në vendim.

Gjyqtarët konstatuan se fakti që gjykimi ka përfunduar, nuk ka asnjë ndikim në rritjen e rrezikut për arratisje. Madje, nuk ka prova që Kadri Veseli synon arratisjen.

“Lidhur me argumentin e ZPS-së se mbyllja e çështjes dhe fillimi i shqyrtimeve rrit rrezikun e arratisjes së Z. Veseli, Paneli kujton konstatimet e tij të mëparshme se hapa të ngjashëm proceduralë, siç është përfundimi i procedurave të provave, nuk e rrisin rrezikun e arratisjes së Z. Veseli. Në mënyrë të ngjashme, Trupi Gjykues konsideron se mbyllja e çështjes dhe fillimi i shqyrtiit nuk ndikon në prezumimin e pafajësisë, në vetvete, nuk e bën më konkrete dhënien e mundshme të një dënimi kundër z. Veseli. Në dritën e sa më sipër, Trupi Gjykues nuk ka gjetur ndonjë faktor shtesë mjaftueshëm bindës për të ndikuar në gjetjen e mëparshme në lidhje me rrezikun e arratisjes”, thuhet në vendim.

Madje, Prokuroria theksoi se përfundimi i gjykimit, e ka rritur presionin publik. Por, gjyqtarët konstatuan se nuk ka shembull konkret ku Veseli ka frikësuar një dëshmitar. Megjithatë, gjyqtarët konstatuan se ai ka ndikim të madh në Kosovë.

“Paneli mban qëndrimin e tij se emrat dhe të dhënat personale të disa dëshmitarëve shumë të ndjeshëm i janë zbuluar Mbrojtjes dhe për këtë arsye janë bërë të njohura për një gamë më të gjerë njerëzish, përfshirë të Akuzuarin. Kjo, nga ana tjetër, rrit rrezikun që informacioni i ndjeshëm që lidhet me dëshmitarët të bëhet i njohur për publikun. Në këtë kontekst, pavarësisht fazës aktuale të këtij rasti, Paneli konsideron se lirimi i një të Akuzuari me informacion të ndjeshëm në zotërim të tij nuk do të ishte i favorshëm për mbrojtjen efektive të dëshmitarëve. Në këtë drejtim, Paneli kujton gjetjen e tij, e cila u mbështet nga Paneli i Gjykatës së Apelit, se rreziku i ndërhyrjes që paraburgimi synon të parandalojë përfshin gjithashtu çdo përpjekje për t’u hakmarrë kundër ose për të nxitur dëshmitarët që kanë hequr dorë tashmë. Paneli kujton se më parë kishte konstatuar se rreziku i ndërhyrjes shtrihej edhe në përpjekjet për të ndërhyrë te dëshmitarët në procedurat paralele, dhe se një çështje në lidhje me pretendimet për ndërhyrje në procedurat aktuale është në vazhdim, përkatësisht Rasti 12. Megjithatë, Paneli konsideron se, në momentin aktual, potenciali për ndërhyrje është i kufizuar, duke vënë në dukje, në veçanti, se Prokuroria Speciale ka paraqitur së fundmi një njoftim për mbylljen e çështjes së saj”, thuhet në vendim.

Gjyqtarët paraburgimin e vazhduan me arsyetimin se në Kosovë ka klimë të frikësimit të dëshmitarëve.

“Për më tepër, ekziston një klimë e vazhdueshme frikësimi të dëshmitarëve dhe ndërhyrjeje në procedurat penale kundër ish-anëtarëve të UÇK-së në Kosovë, të cilën masat mbrojtëse vetëm nuk mund ta kapërcejnë. Paneli vëren më tej se [REDAKTUAR]. Kjo klimë, siç konfirmoi Paneli i Gjykatës së Apelit, është një konsideratë e rëndësishme për qëllimin e vlerësimit të ekzistencës së një rreziku sipas Nenit 41(6)(b)(ii).53 Në këtë drejtim, Paneli është gjithashtu i vetëdijshëm për detyrën e tij për të mbrojtur si integritetin e procedurave ashtu edhe dëshmitarët e mbrojtur”, thuhet në vendim.

Të ngajshme

Molliqaj: Opozita t’i vendosë vijat e kuqe dhe të refuzojë bashkëpunimin me Kurtin

KushtrimGuraj

Goditet kryeqyteti i Arabisë Saudite, shpërthime në infrastrukturën energjitike në Riad

KushtrimGuraj

Sorensen informon zyrtarin e OKB-së për marrëveshjen në Prishtinë

KushtrimGuraj