Telenews

Mungon vaksina kundër rotavirusit në Kosovë, institucionet presin furnizim

Qendrat e Mjekësisë Familjare në Kosovë kanë mbetur pa furnizim me vaksinën kundër rotavirusit, vaksinë kjo që u jepet foshnjave në muajt e parë të jetës. Pavarësisht kërkesave të shtuara për vaksinim, institucionet shëndetësore po përballen me mungesë për shkak të furnizimit të kufizuar global.

Vaksina kundër rotavirusit, e cila mbron foshnjat nga virusi që shkakton diarre të rëndë dhe dehidrim në muajt e parë të jetës, mungon tash e disa ditë në qendrat e mjekësisë familjare në Kosovë.

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, përgjegjësja për vaksinim, dr. Xheva Canolli, tha për Radio Kosovën se kërkesa për këtë vaksinë ekziston, por aktualisht ka mungesë.

“Jemi të furnizuar mirë me të gjitha vaksinat, përveç vaksinës kundër rotavirusit. Instituti është i njoftuar dhe jemi në pritje të furnizimit. Kërkesa për vaksinim ka, pasi kjo vaksinë është pjesë e kalendarit të rregullt të imunizimit: doza e parë merret në moshën dy muajsh, doza e dytë në moshën katër muajsh”, tha Canolli.

Ministria e Shëndetësisë, në një përgjigje me shkrim për Radio Kosovën, bëri të ditur se vonesat lidhen me mungesën globale të kësaj vaksine, por edhe me procesin e furnizimit përmes UNICEF-it.

“Ministria e Shëndetësisë ka kryer të gjitha procedurat e nevojshme për furnizim dhe pagesën për vaksinën pranë UNICEF-it, për të siguruar furnizimin për muajin shkurt 2026. Megjithatë, për shkak të një uljeje të papritur të furnizimit global nga prodhuesi, ende nuk kemi marrë një datë të saktë për dorëzimin e vaksinave. UNICEF-i po punon ngushtë me furnizuesit për të adresuar këtë situatë dhe për të minimizuar çdo ndikim në programin e vaksinimit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërkaq, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, zëdhënësja për informim, Era Pireva, i tha Radio Kosovës se janë duke shqyrtuar të gjitha mundësitë për ta siguruar furnizimin me këtë vaksinë sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Aktualisht, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike janë duke shqyrtuar të gjitha mundësitë alternative për të siguruar furnizimin me këtë vaksinë sa më shpejt të jetë e mundur. Megjithatë, disa komuna ende kanë stok të kësaj vaksine në përputhje me planifikimin e tyre dhe vazhdojnë ta përdorin atë sipas nevojave”, tha ajo.

Vaksina kundër rotavirusit është pjesë e kalendarit të rregullt të imunizimit në Kosovë që nga viti 2023 dhe konsiderohet shumë efektive, duke parandaluar mbi 85% të rasteve të rënda.

Të ngajshme

Shtatë arsye që të hani sa më shumë qershi

Valjeta Turkaj

Cili ushqim mund të ndihmojë në largimin e mikroplastikës nga trupi?

Valjeta Turkaj

IKSHPK: Rriten sëmundjet jo-ngjitëse në Kosovë, kryeson hipertensioni

KushtrimGuraj