Një vaksinë eksperimentale kundër kancerit, e bazuar në teknologjinë mRNA, ka treguar rezultate premtuese te pacientët me melanomë (kancer të lëkurës). Sipas rezultateve të një prove klinike të fazës së avancuar, pacientët që morën vaksinën së bashku me ilaçin Keytruda kishin 42% rrezik më të ulët të rikthimit të kancerit pas operacionit ose të vdekjes, krahasuar me ata që morën vetëm Keytruda.
Vaksina, e quajtur “intismeran autogene”, po zhvillohet nga kompanitë Merck dhe Moderna. Rezultatet pritet të prezantohen në Madrid, në një takim të Shoqatës Evropiane për Onkologjinë Mjekësore, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.
Kompanitë kanë bërë të ditur se janë në kontakt me autoritetet rregullatore, duke lënë të kuptohet se mund të paraqesin së shpejti kërkesën për miratim në Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA). Teknologjia po testohet edhe për lloje të tjera të kancerit, përfshirë atë të mushkërive dhe pankreasit.
“Është diçka që nuk e kemi parë më parë, si për nga efektiviteti që ka dëshmuar, ashtu edhe për mënyrën se si funksionon”, tha për CNN, dr. Michael Postow, drejtues i shërbimit për trajtimin e melanomës në Qendrën e Kancerit Memorial Sloan Kettering.
Si funksionon vaksina?
Vaksina përdor të njëjtën teknologji mRNA si vaksina e Modernës kundër COVID-19, por synon ta ndihmojë sistemin imunitar të luftojë qelizat kancerogjene.
Ajo personalizohet për secilin pacient, bazuar në veçoritë gjenetike të tumorit. Pas heqjes kirurgjikale të kancerit, mostra e tumorit analizohet dhe vaksina krijohet duke u bazuar në shënuesit që kanë më shumë gjasa të nxisin përgjigjen imunitare.
Trajtimi synon të plotësojë efektin e Keytruda-s, ilaçit që përdoret për të ndihmuar sistemin imunitar të identifikojë dhe sulmojë qelizat kancerogjene.
Pacientja vazhdon të jetë pa shenja të kancerit
Një nga pjesëmarrëset në provën klinike është 59-vjeçarja Beth Ryzyk, e diagnostikuar me melanomë në stadin IIIC në dhjetor të vitit 2023. Kanceri ishte përhapur në nyjat limfatike, duke rritur rrezikun e rikthimit pas operacionit.
Ryzyk, njësoj si 1.136 pjesëmarrësit e tjerë, nuk e di nëse ka marrë vaksinën eksperimentale apo një placebo, pasi të gjithë pjesëmarrësit morën edhe Keytruda-n.
Ajo dyshon se ka marrë vaksinën, pasi pas trajtimeve ndihej pak e sëmurë, me simptoma të ngjashme me gripin.
Më shumë se një vit pas përfundimit të trajtimit në kuadër të provës klinike, ajo vazhdon të jetë pa shenja të kancerit.
“Jam mirë, ndonjëherë edhe e harroj atë që kam kaluar. Gjithmonë e ke diku në mendje, por ata po më mbikëqyrin”, tha ajo për CNN.
Rezultatet bazohen në një periudhë mesatare prej rreth dy vjetësh pas trajtimit. Prova klinike do të vazhdojë për të vlerësuar qëndrueshmërinë e efektit dhe nëse trajtimi ndihmon pacientët të jetojnë më gjatë.
Kompanitë kanë deklaruar se është ende herët për të nxjerrë përfundime për mbijetesën e përgjithshme, megjithëse kanë vërejtur një prirje pozitive.
Moderna synon ta zgjerojë përdorimin e teknologjisë
Pavarësisht rezultateve premtuese, aksionet e Modernës ranë me 18% të enjten, ndërsa ato të Merck-ut me 1,8%.
Analistët vunë në dukje se rezultatet nuk ishin aq të forta sa ato të një prove të mëhershme, më të vogël. Megjithatë, një analist i RBC Capital Markets vlerësoi se FDA-ja mund ta miratojë trajtimin vitin e ardhshëm.
Investitorët shpresojnë që teknologjia mRNA të japë rezultate edhe kundër llojeve të tjera të kancerit. Në gusht, pas lajmit për suksesin e provës klinike, aksionet e Modernës u rritën më shumë se dyfish. Edhe pas rënies së fundit, ato ishin rritur për më shumë se 500% që nga fillimi i vitit.
Ndërkohë, Ryzyk shpreson që trajtimi të bëhet i qasshëm edhe për pacientët e tjerë dhe që çmimi të mos ua pamundësojë përdorimin.
Pas përfundimit të terapisë, ajo i është rikthyer jetës së përditshme dhe udhëtimeve me bashkëshortin.
“Mund të vendosim të nisemi kur të duam. Prandaj, po udhëtojmë”, tha ajo.

