Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një vizitë zyrtare dhe një drekë pune me Presidentin e Republikës së Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elize në Paris.
Presidenti Macron e uroi edhe njëherë Kryeministrin Kurti për rizgjedhjen dhe mandatin e ri në krye të Qeverisë së Kosovës, ndërsa Kurti shprehu falënderimin për kontributin e vazhdueshëm të Francës ndaj Kosovës.
Në takim morën pjesë Ministri Francez i Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, Ambasadori i Kosovës në Francë, Mehdi Halimi, dhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Strasburg, Lulzim Hiseni.
Sipas njoftimit të Qeverisë, diskutuam u fokusuan në sigurinë e Kosovës, rolin e NATO-s dhe KFOR-it, si dhe në integrimet evropiane. Kryeministri Kurti theksoi harmonizimin e plotë të Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe progresin në 35 nga 38 fusha, siç evidenton raporti i fundit i BE-së, duke renditur Kosovën ndër vendet më të suksesshme në rajon. Ai kërkoi mbështetjen e Francës për integrimin evropian të Kosovës dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Në fokus të takimit ishin edhe raportet me Serbinë, bashkëpunimi me aleatët veri-atlantikë, siguria rajonale në Ballkan, si dhe planet dhe investimet në edukim dhe zhvillimin e biznesit Kosovë–Francë, përfshirë edhe organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.
Takimi, sipas njoftimit të Qeverisë, konfirmoi përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e mëtejshëm të partneritetit evropian dhe bilateral ndërmjet Kosovës dhe Francës.

