Sekretari i Përgjithshëm i Komiteti Olimpik i Kosovës, Besim Aliti, në emisionin “SportCast” ka folur për sfidat, afatet dhe urgjencën që e pret Kosovën në rrugën drejt organizimit të Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030. Ai ka theksuar nevojën për bashkëpunim institucional, përshpejtim të proceseve dhe përgatitje serioze infrastrukturore në një periudhë kohore që, sipas tij, është shumë e kufizuar për projektet madhore që kërkohen.
Duke folur për kohën e mbetur në dispozicion, Aliti ka nënvizuar se katër vitet e ardhshme janë të pamjaftueshme për realizimin e projekteve kapitale sportive, duke pasur parasysh kompleksitetin e ndërtimit të objekteve si stadiumi kombëtar, qendrat nacionale sportive apo renovimi i objekteve ekzistuese.
Ai ka theksuar rëndësinë e miratimit të projektligjit për Lojërat Mesdhetare si një hap kyç që do të ndikojë drejtpërdrejt në përshpejtimin e procedurave të prokurimit dhe nisjen konkrete të punimeve infrastrukturore.
“Nuk është që nuk ka lëvizje, ka lëvizje por jo aq shumë konkrete sa ç’duhet dhe mendoj që kjo dhe mendoj që kjo është pika e cila ka ndodhur tash dhe momentumi kryesor është miratimi i projektligjit për Lojëra Mesdhetare i cili pikërisht duhet të përshpejtojë procesin e prokurimit dhe procesin se si duhet ne të fillojmë sa më shpejt me infrastrukturën sportive. Pra kam besim të plotë, nuk kemi tepër kohë. Të gjithë ata që janë marrë me ndërtim e dinë se sa pak është katër vjet apo katër vjet e gjysmë për të ndërtuar stadium kombëtar, qendrën nacionale të notit, apo qendrën nacionale të tenisit, apo çfarëdo palestre tjetër. Është, është shumë apo renovimi i Pallatit të Rinisë. Unë ju garantoj që jo më pak se katër vjet i duhet vetëm Pallatit të Rinisë për të renovuar, jo po për të ndërtuar. Pra nuk kemi kohë, nuk kemi luks të debatojmë më”, theksoi Aliti në SportCast.Tutje, Aliti është ndalur te nevoja për unitet institucional, duke bërë thirrje që të shmangen debatet e panevojshme dhe të fokusohet energjia në punë konkrete. Sipas tij, bashkëpunimi mes institucioneve kryesore si Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Komiteti Olimpik është thelbësor për suksesin e organizimit. Ai ka vlerësuar si pozitiv sinjalet e fundit të koordinimit ndërinstitucional, duke e konsideruar këtë si momentin e duhur për një bashkim të fuqishëm në funksion të përfaqësimit sa më dinjitoz të vendit.
“Iu bëj thirrje këtu, iu bëj definitivisht thirrje të gjithë institucioneve, nuk kemi luks për debate. Të ulemi, të punojmë bashkë, të respektojmë hierarkinë, të respektojmë atë që kemi nënshkruar dhe kjo i bie që secili hisedar e ka rolin e vet. Siç e ka Komiteti Olimpik, ashtu e ka edhe kryeqyteti i Prishtinës, ashtu e ka edhe Qeveria e Kosovës. Secili e di shumë mirë rolin, përgjegjësitë dhe obligimet të cilët i kanë nënshkruar dhe jam i lumtur që e shoh edhe në fakt këtë bashkëpunim institucional tashmë. E pashë që ka pasur edhe Komuna e Prishtinës takim me Ministrinë e Sportit. Kjo më bën ekstrem të lumtur. Ministri i sportit Blerim Gashani po tregon një proaktivitet shumë drejtpërdrejtë për të treguar një bashkim, po gjithashtu edhe kryetari Përparim Rama. Pra, unë jam i bindur që tash është momenti i një bashkimi të fuqishëm që t’i tregojmë botës, t’i tregojmë Evropës, t’i tregojmë shteteve mesdhetare që ne shqiptarët dimë të punojmë bashkë dhe mund të jemi, mund të jemi shumë të fuqishëm kur jemi bashkë”, shtoi Aliti.
Aliti ka folur edhe për skenarët alternativë në rast të vonesave në realizimin e infrastrukturës, duke theksuar se organizatorët duhet të jenë të përgatitur me disa plane rezervë. Ai ka theksuar rëndësinë e fleksibilitetit në organizim, përfshirë mundësinë e ndërtimit të infrastrukturës së përkohshme për disa disiplina sportive, në mënyrë që të garantohet mbulimi i plotë i programit të Lojërave edhe në kushte sfiduese.
“E kam shumë vështirë ta mendoj këtë skenar. Është me të vërtetë skenari i errët siç e përmende edhe vetë, por unë mendoj që ne si Komiteti Organizativ duhet të kemi gjithmonë planin A, B, C, D. Jo planin A dhe B. Nuk është i mjaftueshëm. Ka thënë një thënie shumë të rëndësishme Mike Tyson, nëse e mban mend, “Everybody has a plan B until they get punched in the face”. E nuk dua neve të na ndodhë kjo, të kemi planin B derisa dikush të na godasë ashtu siç ka thënë edhe Mike Tyson pra, siç thashë. plani A është gjithçka shkon sipas planit të miratuar nga Komiteti Organizativ dhe masterplanit të krijuar për Lojërat Mesdhetare. Në qoftë se nuk jemi me afat, plani B duhet të jetë krijimi i infrastrukturës së përkohshme sa më shumë që të mund të mbulojmë ato sporte për të cilët nuk kemi infrastrukturë të përhershme”, theksoi Aliti.
Ndryshe, Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 përbëjnë një nga projektet më të mëdha sportive dhe infrastrukturore në historinë e Kosovës. Ky organizim pritet të ketë ndikim të gjerë në zhvillimin e sportit, turizmit dhe imazhit ndërkombëtar të vendit. Megjithatë, suksesi i tyre mbetet i lidhur ngushtë me ritmin e punimeve, koordinimin institucional dhe përkushtimin për të përmbushur standardet ndërkombëtare brenda afateve të parapara.

