Zjarri i madh që mbajti pezull kryeqytetin dy ditë më parë dhe përfshiu pallatin 12-katësh në kompleksin pranë QSUT-së, ka prekur nga afër edhe personazhet e njohur të ekranit shqiptar.
Ish-banorja e “Ferma VIP”, modelja e njohur Gloria Meshi, ishte një nga banorët që përjetuan me sy ngjarjen e rëndë, duke humbur shtëpinë e saj në këtë situatë dramatike që dyshohet se nisi nga pjesa e jashtme e një supermarketi “Big Market” poshtë godinës.
Përmes një sërë postimesh prekëse në Instagram, Gloria theu heshtjen për të ndarë përvojën e saj të hidhur dhe për të ngritur në piedestal ata që luftuan ballë për ballë me flakët. “Kam parë lajme e komente, por askush nuk e di se sa kanë rrezikuar jetën zjarrfikësit dhe policia në çfarë kushtesh të këqija ishin”, shkruan modelja, e cila rrëfen detaje shumë të forta nga vendngjarja. Ajo tregon se pa me sytë e saj të paktën shtatë zjarrfikës që u asfiksuan dhe përfunduan në urgjencë, ndërsa shton se fuqia e zjarrit ishte aq e madhe saqë kaskat e tyre mbrojtëse, të cilat i rezistojnë temperaturave të larta deri në 1200 gradë, u shkrinë plotësisht.

Gloria me një revoltë të drejtë u kërkoi ndjekësve të reflektojnë dhe të falënderojnë këta njerëz heroikë që rrezikojnë jetën në punën e tyre.
Në një tjetër postim të radhës, Gloria solli një lajm qetësues për të gjithë ata që u bënë merak. Ajo njoftoi se ajo dhe familja gëzojnë shëndet të plotë dhe shpëtuan pa lëndime fizike. Megjithatë, pasojat e ngjarjes kanë ndryshuar tërësisht rutinën e saj. Për shkak të dëmeve të jashtëzakonshme në apartamentin ku jetonte, modelja njoftoi se do të detyrohet të bëjë një pauzë nga bashkëpunimet aktive në rrjetet sociale për ditët në vijim, duke përjashtuar vetëm materialet promocionale që kishte përgatitur tashmë para kësaj ngjarjeje.
Kujtojmë se për ngjarjen që paralizoi zonën e njohur në Tiranë, autoritetet kanë nisur hetimet intensive dhe kanë bërë arrestimet e para për zbardhjen e shkaqeve, mes të cilëve administratorin e pallatit dhe menaxheren e biznesit ku dyshohet se nisën flakët.


