Ministri në detyrë, Blerim Gashani, ka pritur sot në një takim zyrtar Hasan Arat, anëtarin e Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Evropian dhe ish-presidentin e klubit të mirënjohur turk, Beşiktaş.
Në këtë takim, z. Arat ishte i shoqëruar nga krerët e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm Besim Aliti.
Takimi u fokusua në mirënjohjen e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të Hasan Arat në ndërkombëtarizimin e sportit kosovar, veçanërisht për rolin e tij kyç në përzgjedhjen e Kosovës si organizatore e Lojërave Mesdhetare 2030.
Gjatë bisedës u shkëmbyen ide për projekte konkrete që synojnë zhvillimin e mëtutjeshëm të sportit, me fokus të veçantë te talentet e reja dhe forcimin e lidhjeve institucionale mes Kosovës dhe Turqisë.
Gashani u shpreh optimist se ky bashkëpunim do të gjenerojë rezultate të prekshme për sportistët tanë në muajt në vijim.

