Telenews

Lladrovci reagon ndaj mospërfshirjes së Limajt në listë të PDK-së

Fatmir Limaj nuk do të jetë pjesë e listës së Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, të hënën ka dhënë disa arsye për këtë refuzim të kërkesës së Limajt për bashkëpunim.

Hamza ka thënë se e mirëpresin kontributin e Limajt dhe Nismës Socialdemokrate për Partinë Demokratike në zgjedhjet e 7 qershorit, por se kësaj here Limaj dhe asnjë nga anëtarët e Nismës, nuk do të jenë pjesë e listës së PDK-së për deputetë.

“E presim dhe e mirëpresim kontributin që do të japë Fatmir Limaj dhe Nisma Socialdemokrate. Kësaj radhe nuk do të jetë pjesë e listës së PDK-së”, ka thënë Hamza. “Sigurisht se z. Limaj në të ardhmen, në procese të rregullta të brendshme zgjedhore, është i mirëpritur të jetë pjesë e PDK-së. Sa i përket garimit në këtë listë, është qëndrim i përgjithshëm që fillimisht duhet të ndodhë një përkrahje për PDK-në, vullnet i mirë nga ana e Nismës Socialdemokrate, pastaj në zgjedhjet e ardhshme do t’i trajtojmë në mënyrë të duhur. Kësaj radhe Limaj s’do të jetë pjesë e listës së PDK-së”.

Sipas Hamzës, Limaj në letrën që ia ka dërguar PDK-së  për bashkëpunim nuk ka kërkuar që të jetë i përfshirë në listë. 

Hamza ka thënë se një pjesë e madhe e kandidatëve që do të jenë në listë të PDK-së do të garojnë për herë të parë për deputetë.

Ndaj vendimit të kryesisë së PDK-së, ka reaguar kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci. Vendimin e ka quajtur ripërsëritje të ndikimit, por pa dhënë emra.

“U ripërsërit modeli i ndikimit në Kryesinë e PDK-së. Kreatorët e kësaj fryme, nuk po i bëjnë shërbim Kosovës e as PDK-së. Për ta paraqitur Bedriun humbës dhe Fatmirin jomeritor në Listë, janë ata që nuk patën guxim të ballafaqohen me pozitën dhe qytetarin ndër vite. Anëtarësia e gjerë, simpatizantët dhe qytetarët, do të jenë në përkrahje të PDK-së, të heronjve tanë të luftës e paqes dhe të Bedri Hamzës!”, ka thënë Lladrovci në reagimin e tij në Facebook.

Hamza para mediave i është përgjigjur reagimit të kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci. Ai ka thënë se kryetari Lladrovci nuk është anëtar i Kryesisë, por vetëm i Këshillit.

“Kryetari Lladrovci është anëtar i Këshillit por nuk është anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës”, ka thënë Hamza.

Limaj i ka dërguar PDK-së kërkesë për bashkëpunim më 8 maj, një ditë pasi ka përfunduar afati i KQZ-së për paraqitje të subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhje.

“Nisma Socialdemokrate dhe unë, si kryetar i saj, kemi shprehur vazhdimisht, si para këtyre zgjedhjeve ashtu edhe në vazhdimësi, gatishmërinë për bashkëpunim dhe bashkim politik në funksion të krijimit të një alternative të fuqishme dhe përfaqësuese për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e Limajt ndër të tjera.

Nisma, kryetar i të cilës është Fatmir Limaj në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 nuk ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor, e në ato të shkurtit po të vitit 2025, në kolaicion me AAK-në, kanë fituar 8 ulëse – 5 AAK-ja dhe 3 Nisma.

Në fakt, Limaj ishte pjesë e PDK-së prej themelimit të kësaj partie, por më 2014 ai dhe disa funksionarë të tjerë të lartë janë larguar për të themeluar partinë Nisma.

Pas kësaj, jo rrallë herë udhëheqës dhe anëtarë të tjerë të dy partive kanë sulmuar njëri-tjetrin.

Hamza para mediave i është përgjigjur reagimit të kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci. Ai tha se kryetari Lladrovci nuk është anëtar i Kryesisë por vetëm i Këshillit.

“Kryetari Lladrovci është anëtar i Këshillit por nuk është anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës”, deklaroi Hamza pa e komentuar qëndrimin e Lladrovcit.

Të ngajshme

Veliu refuzon të jetë pjesë e listës së LDK-së

KushtrimGuraj

BE-ja ankohet se ciklet zgjedhore në Kosovë po e shtyjnë dialogun

KushtrimGuraj

Ramiz Lladrovci kritikon vendimin e PDK-së për Fatmir Limaj: Nuk po i bëhet shërbim partisë e Kosovës

Blearta