Telenews

Gjykata Speciale në panik pas raportit të ekspertëve britanikë – u dërgon email ambasadave të vendeve të BE-së

Gjykata Speciale është shashtrisur nga raporti i avokatëve britanikë të “The Bar Human Rights Committee of England and Wales” – të cilët kanë ngritur shqetësime serioze për shkelje të të drejtave të akuzuarve – krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të tjerëve.

Kundër tij, Specialja është aktivizuar me një fushatë prapa perdeve – por edhe publikisht.

VOX Kosova ka parë një e-mail zyrtar që Dhomat e Specializuara të Kosovës i kanë dërguar ambasadave të vendeve të Bashkimit Evropian të akredituara në Hagë.

Në këtë email, flitet kryesisht për raportin e BHRC-së, ku Specialja thotë se “ai nuk pasqyron në mënyrë të barabartë zhvillimet” në proceset gjyqësore atje.

Edhe në këtë email, Gjykata e sulmon Avokatin e Popullit si iniciues të këtij raporti.

Sipas asaj që ka parë VOX Kosova, thuhet se vlerësimet e tij për raportin nuk pasqyrojnë saktë përmbajtjen dhe kështu paraqitet një pamje e gabuar për Dhomat e Specializuara.

Ajo që vërehet në email është se Specialja ka komunikim dhe raportim të vazhdueshëm me ambasadat e Bashkimit Evropian, pasi që qysh në fillim theksohet “fryma e informimit të vazhdueshëm për zhvillimet në Gjykatë”.

Kjo gjë ngre pikëpyetje të mëdha për qasjen e Bashkimit Evropian ndaj procesit, i cili përcillet me shumë shqetësime për shkelje të të drejtave të akuzuarve.

Mbetet dilemë nëse ky informim i vazhdueshëm është i pasqyruar në mënyrë të barabartë – apo vetëm nga njëra palë, duke lënë jashtë zërin e mbrojtjes.

Në email, Gjykata tregohet aq e gatshme për të folur për raportin sa u ofron ambasadave mundësinë që të bisedojnë kurdo.

Avokatët britanikë kanë përpiluar një raport 90-faqesh, të publikuar ditë më parë nga Avokati i Popullit i Kosovës.

Në të konstatohet se paraburgimi i gjatë dhe procesi në tërësi, pabarazia e armëve, pyetjet e gjyqtarëve në mënyrë sugjestive, mosfiltrimi i provave nga Serbia, procesi i mbyllur, janë disa nga shqetësimet serioze për shkelje të të drejtave të njeriut.

Raporti i detajuar u është dërguar nga Avokati i Popullit i Kosovës edhe institucioneve të Bashkimit Evropian si dhe SHBA-ve.

Gjykata Speciale kishte reaguar përmes një komunikate duke e thënë se raporti është shtrembëruar nga Avokati i Popullit i Kosovës.

Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (BHRC) kishte lëshuar një komunikatë sqaruese për raportin e tyre për shkeljet në Gjykatën Speciale. Komiteti sqaronte se raporti është përgatitur “pa ndërhyrje apo input nga institucioni inicues”.

Për më tepër, BHRC ka sqaruar edhe metodologjinë e punës që ka përdorur në hartimin e tij – e bazuar në praktika shkencore.

Të ngajshme

Punimet në “Kosovën B”, KEK ndërmerr masa sigurie për materialet izoluese të identifikuara

KushtrimGuraj

Nesër protestë në Prishtinë kundër ndalimit të shërbimeve ndërtimore në Rugovë

KushtrimGuraj

​Përurohet nënstacioni policor në Junakë të Zveçanit

Blearta