Telenews

Dukagjini e fiton Kupën e Kosovës

FC Dukagjini ka fituar Kupën e Kosovës pas një finaleje dramatike dhe të tensionuar ndaj Ferizajt, e cila u mbyll në rrethana të pazakonta pas largimit të skuadrës ferizajase nga fusha në minutat shtesë të takimit.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë, me Ferizajn që pati më shumë iniciativë në minutat e para, por pa arritur të krijojë raste të pastra shënimi. Dukagjini, në anën tjetër, u tregua më konkret dhe e shfrytëzoi rastin e parë serioz.

Në minutën e 17-të, Merlaku realizoi një supergol për Dukagjinin, duke e kaluar skuadrën e tij në epërsi 1-0. Numri 10 i klinasve goditi bukur dhe i dha avantazhin ekipit në një moment kur Ferizaj dukej më aktiv në lojë.

Reagimi i Ferizajt erdhi shumë shpejt. Në minutën e 24-t, Kushtrim Shabani shënoi golin e barazimit, duke e çuar rezultatin në 1-1 dhe duke rikthyer ekuilibrin në finale. Pas golit, Ferizaj vazhdoi të kishte më shumë kontroll dhe të kërkonte përmbysjen.

Në pjesën e dytë, finalja u bë edhe më e tensionuar. Dukagjini mbeti me një lojtar më pak nga minuta e 70-të, por pavarësisht inferioritetit numerik, arriti të gjente golin e dytë. Në minutën e 74-t, Hekuran Berisha shënoi për 2-1, duke rikthyer epërsinë për Dukagjinin.

Situata në fushë u përkeqësua në minutat shtesë, kur Bekim Haxhimusa i Ferizajt u përjashtua nga loja. Pak më vonë, tensionet u rritën edhe më shumë pas dëmtimit të rëndë të Bekim Hysenit, i cili u largua nga fusha me ambulancë.

Ferizaj, i pakënaqur me ndarjen e drejtësisë, vendosi të largohej nga fusha, duke pretenduar për padrejtësi nga gjyqtari Genc Nuza. Ky veprim çoi në ndërprerjen e ndeshjes në rrethana të pazakonta.

Pas largimit të Ferizajt, pritet vlerësimi zyrtar nga gjyqtarët dhe organet kompetente për epilogun administrativ të finales. Në aspektin sportiv, Dukagjini ishte në epërsi 2-1 në momentin e ndërprerjes dhe u shpall fitues i Kupës së Kosovës.

Finalja do të mbahet mend jo vetëm për golat dhe kthesat në rezultat, por edhe për tensionet, përjashtimet dhe largimin e Ferizajt nga fusha, një rast i rrallë në futbollin kosovar.

Të ngajshme

Ronaldo shënon supergol nga goditja e lirë në ndeshjen vendimtare për titull

KushtrimGuraj

Gara për Këpucën e Artë, ja ku pozicionohet Vedat Muriqi

KushtrimGuraj

Futbollisti i Manchester United nuk merr ftesë nga Anglia

Blearta