Një kundërvajtje në trafik ka eskaluar në incident serioz mbrëmjen e së mërkurës në Kaçanik, ku katër zyrtarë policorë janë përfshirë në përballje me dy persona, ndërsa tre prej policëve kanë përfunduar duke marrë trajtim mjekësor, merr vesh Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se të dyshuarit janë Sylejman Raka, 40-vjeçar, dhe Valton Gula, 30-vjeçar, të cilët pas përfundimit të procedurave policore janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Rasti ka ndodhur më 2 shtator, rreth orës 20:00, në rrugën “Vëllezërit Qaka” në Kaçanik.
Gjithçka dyshohet se nisi kur patrulla policore ndaloi një veturë për një kundërvajtje në trafik. Drejtues i saj ishte Gula, ndërsa gjatë komunikimit të tij me policët në vendin e ngjarjes kishte mbërritur edhe Raka.
Policia dyshon se Raka nuk iu bind urdhrit të zyrtarëve që të largohej nga vendi për arsye sigurie, ndërsa situata u tensionua edhe më shumë kur shoferi refuzoi t’u bindej urdhrave të policëve.
Gjatë përpjekjes për arrestimin e Gulës, ai dyshohet se ka rezistuar dhe ka kanosur disa herë zyrtarët policorë se do t’i vriste.
Në të njëjtën kohë, Raka dyshohet se ka kaluar në sulm fizik, duke e goditur me grusht në pjesën e djathtë të fytyrës njërin prej policëve.
Situata ka detyruar zyrtarët policorë të përdorin edhe sprej OC gjatë arrestimit të dy të dyshuarve.
Si pasojë e incidentit, tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime dhe kanë marrë trajtim mjekësor në QKMF në Kaçanik.
Rastin më pas e kanë marrë në trajtim Hetimet Rajonale në Ferizaj, ku dy të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.
Raka ka deklaruar se ishte afruar vetëm për t’u interesuar se çfarë po ndodhte me nipin e tij dhe ka mohuar se me vetëdije kishte kanosur, penguar apo sulmuar policët.
Ndërkaq, Gula ka pranuar se ishte ndaluar për t’iu shqiptuar një tiketë për bllokim të rrugës dhe se kishte rezistuar gjatë prangosjes, por ka mohuar se kishte sulmuar fizikisht zyrtarët policorë.
Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, rasti ndaj Rakës është iniciuar për “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa ndaj Gulës për “Pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
Me vendim të prokurorit, të dy janë dërguar në ndalim policor për 48 orë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

