Janë identifikuar viktimat dhe të përfshirët në aksidentin tragjik që ndodhi një natë më parë në qarkoren Radishan-Prishtinë-Mirkovcë, ku katër persona humbën jetën pas përplasjes së fuqishme mes një veture BMW dhe një kamioni me targa të Kosovës.
Sipas raportimeve të Alsat-M, policia tashmë ka konfirmuar zyrtarisht numrin e katër viktimave që ndodheshin në automjetin BMW me targa të Shkupit. Sipas të dhënave të siguruara, mes viktimave kanë qenë edhe dy familjarë, babë e bir. Viktimat janë identifikuar si R.V. (51 vjeç, i lindur në vitin 1975) dhe bashkëudhëtari A.V. (20 vjeç, i lindur në vitin 2005), të dy me mbiemrin Velkov. Bashkë me ta jetën e humbën edhe dy të rinj të tjerë, P.M. (20 vjeç, i lindur në vitin 2005) dhe M.GJ. (20 vjeç, po ashtu i lindur në vitin 2005).
ALSAT raporton më tej duke iu referuar burimeve se drejtuesi i kamionit është B.B. me mbiemrin Behrami, 76-vjeçar, i lindur në vitin 1950, i cili drejtonte një kamion të tipit “MAN” me gjysmërimorkio dhe targa kosovare KS-475-XD. Sipas informacioneve paraprake hetimore, drejtuesi i kamionit ka humbur kontrollin mbi automjetin, ka kaluar mbi gardhin metalik ndarës dhe ka hyrë në korsinë e kundërt, ku është përplasur drejtpërdrejt me veturën “BMW” që drejtohej nga R.V. nga Shkupi. Përplasja rezultoi fatale, ndërsa menjëherë pas goditjes vetura BMW u përfshi nga flakët dhe u dogj pothuajse tërësisht. Për shkak të intensitetit të zjarrit dhe dëmtimeve të rënda, identifikimi i viktimave kërkoi orë të tëra hetimesh dhe ekspertize nga ekipet e mjekësisë ligjore.
Një natë më parë, burime policore kishin ngritur shumë pista dhe identitete, megjithatë hetimet e mëvonshme dhe identifikimi zyrtar konfirmuan se automjeti drejtohej nga 51-vjeçari R.V. Në vendngjarje vazhdojnë ekzaminimet teknike dhe hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa qarkullimi në atë segment rrugor u zhvillua për disa orë me devijime dhe masa të rrepta sigurie.

