Telenews

Djali i Afrim Bunjakut bashkohet me 298 kadetë në aksionin human për dhurim gjaku

Në mesin e qindra kadetëve të rinj që iu përgjigjën aksionit për dhurim vullnetar të gjakut në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike ishte edhe djali i rreshterit hero të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili së bashku me kolegët e tij dha kontribut për pacientët në nevojë.

Aksioni humanitar u organizua më 1 dhe 2 qershor në bashkëpunim ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Qendrës Kombëtare të Kosovës për Dhurimin Vullnetar të Gjakut, me iniciativë të Drejtorisë së Shërbimeve Shëndetësore të Policisë së Kosovës.

Në total, 298 kadetë të rinj policorë, të cilët aktualisht janë duke vijuar trajnimin bazik në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, si dhe pjesëtarë të stafit policor, dhuruan gjak për të ndihmuar pacientët që kanë nevojë për transfuzion.

Prania e djalit të Afrim Bunjakut në këtë aktivitet mori vëmendje të veçantë. Babai i tij, rreshteri i Policisë së Kosovës, u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke mbrojtur rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit.

Policia e Kosovës bëri të ditur se interesimi për t’iu bashkuar aksionit ishte i madh dhe se ky aktivitet synon të promovojë humanizmin, solidaritetin dhe përgjegjësinë qytetare tek gjeneratat e reja të policëve.

Sipas njoftimit, aksione të tilla organizohen rregullisht, veçanërisht gjatë periudhës së verës kur nevojat për rezerva të gjakut janë më të mëdha. Personeli policor vazhdon të jetë i gatshëm të përgjigjet edhe në rastet urgjente kur kërkohet ndihmë për sigurimin e dozave të gjakut për pacientët.

Të ngajshme

Stuhitë i afrohen Shqipërisë, pritet të përfshihet edhe Kosova

Rrezarta Ramaj

Tragjedi në Shëngjin: Dy të rinj kosovarë mbyten pasi u morën nga dallgët – dy të tjerë në gjendje të rëndë

Rrezarta Ramaj

E rëndë në Shëngjin, katër të rinj i marrin dallgët e forta! Dyshohet për viktima

Rrezarta Ramaj