Një 28-vjeçar me prejardhje nga Kosova ka apeluar vendimin e një gjykate në Gjermani, e cila e dënoi atë me burgim të përjetshëm pasi u shpall fajtor për tentim vrasjeje ndaj ish të dashurës së tij.
Sipas mediave gjermane, vendimi është marrë më 28 maj nga Gjykata Rajonale e Neubrandenburgut, ndërsa apelimi është konfirmuar nga zëdhënësi i gjykatës për mediumin “Nordkurier”. Rasti tashmë do të shqyrtohet nga Gjykata Federale e Drejtësisë.
28-vjeçari, shtetas gjerman me prejardhje nga Kosova, akuzohet se më 23 janar 2025 kishte tentuar ta vriste ish të dashurën e tij 44-vjeçare duke e goditur me veturë në trafikun rrugor në Friedrich-Wilhelm-Raiffeisen-Strase, në lindje të qytetit Waren (Muritz).
Sipas raportimit të “Nordkurier”, ai kishte drejtuar qëllimisht automjetin në korsinë e kundërt, pasi kishte vërejtur ish-partneren e tij në automjetin e saj. Gjykata ka konstatuar se marrëdhënia mes tyre kishte qenë e mbushur me konflikte dhe se në javët paraprake ai e kishte fyer dhe kërcënuar me vdekje përmes mesazheve.
Gjykata e shpalli atë fajtor për tentativë vrasjeje, lëndim të rëndë dhe të rrezikshëm trupor, si dhe për ndërhyrje të qëllimshme dhe veçanërisht të rrezikshme në trafikun rrugor.
Gjatë procesit gjyqësor, i pandehuri kishte zgjedhur të mos deklarohej lidhur me akuzat. Sipas gjykatës, ai kishte shprehur keqardhje vetëm në fjalën e tij përfundimtare, drejtuar familjes së viktimës.
Pas aksidentit, gruaja 44-vjeçare ka mbetur në gjendje të vazhdueshme vegjetative dhe, sipas vlerësimit të gjykatës, dyshohet se ka pësuar dëmtime të pakthyeshme në tru.

