Sekretarja e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, ka bërë të ditur se basketbolli 3×3 po shndërrohet në një prej projekteve kryesore afatgjata të federatës, me synim përgatitjen serioze për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Ajo ka theksuar për KosovaPress se tashmë ka nisur puna për rindërtimin dhe konsolidimin e ekipit, si dhe identifikimin e lojtarëve dhe trajnerëve të duhur për këtë disiplinë. Sipas saj, objektivi është që brenda katër viteve të krijohet një skuadër konkurruese që mund të synojë edhe medalje në Prishtina 2030.

