Telenews

Qeveria pezullon përkohësisht tarifat e regjistrimit në Odën e Avokatëve, Gërvalla: Nuk janë në përputhje me ligjin

Qeveria në detyrë ka miratuar propozim-vendimin për ndalimin e ekzekutimit të aktit administrativ mbi lartësinë e shpenzimeve për regjistrim në Odën e Avokatëve të Kosovës, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës kompetente, raporton Ekonomia Online.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se pas shqyrtimit të lartësisë së shpenzimeve për regjistrim në Odën e Avokatëve është konstatuar se ato nuk janë në përputhje me dispozitat e Ligjit për Avokatinë.

“Nga shqyrtimi i lartësisë së shpenzimeve për regjistrim në Odën e Avokatëve të Kosovës është konstatuar që nuk përputhen me dispozitat e Ligjit të Avokatisë, sepse ligji parasheh shprehimisht që lartësia e shpenzimeve të regjistrimit në Odën e Avokatëve të jetë jo më shumë se tre paga minimale. Prandaj aktualisht lartësia e shpenzimeve për regjistrim në Odën e Avokatëve nuk duhet ta tejkalojë shumën prej 1,275 euro, ndërsa nga korriku 1,500 euro”, tha ajo.

Gërvalla theksoi se pezullimi i përkohshëm i zbatimit të këtij akti është i domosdoshëm për garantimin e zbatimit të ligjit dhe funksionimin e pandërprerë të sistemit të drejtësisë.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e garantimit të zbatimit të ligjeve në fushën e drejtësisë dhe nevojën për funksionim të pandërprerë të sistemit të caktimit të mbrojtësve sipas detyrës zyrtare dhe bazuar në kompetencën e Qeverisë për mbikëqyrjen e ligjshmërisë së akteve të Odës së Avokatëve të Kosovës dhe të drejtën për të ndaluar ekzekutimin e tyre deri në vendimin përfundimtar të gjykatës kompetente, vlerësojmë të domosdoshme që zbatimi i lartësisë së shpenzimeve për regjistrim të pezullohet përkohësisht deri në vendimin përfundimtar të gjykatës”, tha ajo.

 

Të ngajshme

Presidentja pritet ta kthejë në Kuvend ligjin për Specialen pas kërkesës së PDK-së –

KushtrimGuraj

Sveçla në Itali, kërkon bashkëpunim për themelimin e Xhandarmërisë së Kosovës –

KushtrimGuraj

Ndahet nga jeta veterani i UÇK-së, Qamil Halili –

KushtrimGuraj