Telenews

Deficiti tregtar arrin në 578.3 milionë euro, eksportet mbulojnë vetëm 15% të importeve

Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) tregojnë se deficiti tregtar i vendit ka shënuar rritje gjatë muajit qershor 2026, duke arritur në 578.3 milionë euro, ose 16.1 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur ishte 498.3 milionë euro.

Sipas ASK-së, gjatë qershorit eksporti i mallrave arriti në 102.0 milionë euro, ndërsa importi në 680.3 milionë euro. Krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, eksportet u rritën për 26.9 për qind, ndërsa importet shënuan rritje prej 17.6 për qind. Eksportet mbuluan 15.0 për qind të importeve.

Në strukturën e eksporteve dominojnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 27.4 për qind, të ndjekura nga ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 12.7 për qind, plastika, goma dhe artikujt prej tyre me 10.6 për qind, artikujt e ndryshëm të prodhuar me 8.7 për qind dhe produktet minerale me 7.1 për qind.

Sa u përket importeve, pjesën më të madhe e zënë produktet minerale me 15.2 për qind, makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike me 13.0 për qind, mjetet e transportit me 12.0 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 11.9 për qind, si dhe metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 9.8 për qind.

Eksportet e Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian arritën në 32.5 milionë euro, ose 31.9 për qind të eksporteve totale, me një rritje prej 17.7 për qind. Partnerët kryesorë ishin Gjermania, Holanda dhe Italia. Ndërkohë, importet nga BE-ja arritën në 304.9 milionë euro, ose 44.8 për qind të importeve të përgjithshme, me Gjermaninë, Italinë dhe Poloninë si furnizuesit kryesorë.

Në tregun e CEFTA-s, eksportet e Kosovës kapën vlerën e 44.0 milionë eurove, ose 43.1 për qind të eksporteve totale, me Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë si partnerët kryesorë. Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 98.7 milionë euro.

Sa u përket vendeve të tjera, eksportet arritën në 25.5 milionë euro, ku Zvicra dhe Turqia ishin destinacionet kryesore. Ndërsa importet nga këto vende kapën vlerën e 276.7 milionë eurove, me Kinën dhe Turqinë që kryesojnë listën e vendeve prej të cilave Kosova importon më së shumti mallra.

Të ngajshme

Qytetarët i bllokojnë punimet e komunës te “Xhamia e Llapit” në Prishtinë

Yllka Gashi

Të akuzuarit për rastin “Drenica1” lirohen nga të gjitha pikat e aktakuzës

Yllka Gashi

Shqipëria pritet të përjetojë temperatura deri në 40 gradë

Yllka Gashi